Përkujtohet dhe nderohet sakrifica sublime e Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Vladimir Ismailukaj.
Në ceremoninë përkujtimore, në fshatin Markatomaj, me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga jeta të Dëshmorit Ismailukaj, morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, Drejtues Arben Nasufi, Prefekti i Qarkut Lezhë, z. Taulant Malshi, shefat dhe drejtues të strukturave të komisariateve të Policisë Lezhë dhe Kurbin, si dhe familjarë dhe të afërm të Dëshmorit.
Me këtë rast, fjalime përkujtimore mbajtën Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, të cilët vlerësuan figurën, përkushtimin dhe sakrificën e Dëshmorit Vladimir Ismailukaj në kryerjen e detyrës, duke theksuar se vlerat që ai mishëroi dhe shërbimi i tij ndaj vendit mbeten një shembull i lartë përkushtimi, përgjegjshmërie dhe integriteti për brezat e rinj të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për sakrificën sublime të bërë në shërbim të rendit dhe sigurisë publike, pranë varrit të Dëshmorit u vendosën kurora me lule.
Organizimi i kësaj ceremonie dëshmoi se për Policinë e Shtetit, Dëshmorët e saj janë në piedestalin më të lartë të nderimit dhe të motivimit për të vijuar të palëkundur misionin krah ligjit dhe qytetarëve.
Sakrifica e tyre mbetet e paharruar dhe e gdhendur përjetësisht me lavdi, në historinë e kombit.
I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Vladimir Ismailukaj!









