DVP Korçë/Finalizohet operacioni i koduar “Dishnica”

DVP Korçë

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni i koduar “Dishnica”.

Qarkullonte me automjet, i armatosur me pistoletë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 59-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri shoqërore.

Shpallet në kërkim shtetasi që i ka shitur armën 59-vjeçarit.

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, 2 automjete dhe 1 celular.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në zbatim të planit të masave për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe/ose i mbajnë ato në banesë, pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte i armatosur, finalizuan operacionin e koduar “Dishnica”.

Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Korçë-Devoll”, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin me drejtues shtetasin B. M., në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi B. M., 59 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, Maliq, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi shtetasi G. A., 57 vjeç, banues në Korçë, pasi nga veprimet hetimore dyshohet se i ka shitur armën 59-vjeçarit.

Punohet për kapjen e shtetasit G. A. dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarive kriminale të këtyre dy shtetasve.

Arma e zjarrit e sekuestruar do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur ose jo në ngjarje të mëparshme kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçë, për veprime të mëtejshme.