Bulqizë/Vlerësohet me Certifikatën e Karrierës, Inspektor Ali Dema

Bulqizë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ka vlerësuar me Certifikatën e Karrierës, punonjësin e Policisë Inspektor Ali Dema, i cili mbylli karrierën pas 25 vitesh punë në shërbim të qytetarëve.

Gjatë ceremonisë që u zhvillua në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, shefi i Komisariatit Kryekomisar Gentian Dedej, në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i dorëzoi punonjësit të Policisë Ali Dema, me rastin e daljes në pension, certifikatën me motivacionin “Për merita të veçanta dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit.”

Inspektor Ali Dema, gjatë karrierës së tij 25-vjeçare në Policinë e Shtetit, ka spikatur për profesionalizmin, korrektësinë dhe integritetin e lartë, duke u bërë shembull edhe për brezat e rinj.

Z. Dema falënderoi drejtuesit, për certifikatën e akorduar, dhe uroi kolegët e tij, suksese të mëtejshme.