Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Janë kapur 2 shtetas që ishin në kërkim për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë dhe prodhim dhe shitje të narkotikëve.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 10 të proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, si rezultat i veprimeve hetimore, u zbardhën rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 26.05.2026, në një lokal në rrugën “Aleksandër Moisiu”, ku dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, u plagos me armë zjarri, në këmbë, shtetasi J. H., 34 vjeç, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim autori i dyshuar i plagosjes dhe 2 bashkëpunëtorët e tij.

Janë evidentuar 13 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 11 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Është arrestuar 1 shtetas pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe janë proceduar 2 shtetas që kanë kryer veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës.

Është evidentuar 1 rast në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, me 1 autor të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve ndaj pronës janë evidentuar 4 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas, për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë.

Janë arrestuar 9 shtetas dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, pasi drejtonin mjetin, në gjendje të dehur/pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 7 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar penlisht 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe trafikim të mjeteve motorike.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët, u ekstradua nga Italia në Shqipëri, një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 30.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Ky shtetas akuzohet se në vitin 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 2 kg Kokainë në Itali, ndërsa gjatë vitit 2021, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar 932 kg Kokainë në Itali.

Gjithashtu, nga Interpol Tirana u ekstraduan:
-në Gjermani, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane kanë lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Mashtrim me shuma të mëdha”, për 33 raste;
-në Mbretërinë e Bashkuar, 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Kentit të Veriut, Mbretëri e Bashkuar, me vendimin e datës.15.01.2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.