Në kuadër të projektit “Help4U” të EUROPOL, i cili synon forcimin e mekanizmave të raportimit dhe reagimit ndaj rasteve që cenojnë sigurinë e fëmijëve në internet, si dhe përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe aktorëve që kontribuojnë në krijimin e një ambienti më të sigurt digjital për fëmijët në Shqipëri, Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me EUROPOL, organizoi një workshop koordinues për implementimin e platformës “Help4U” në Shqipëri.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e z. Anton Toni Klančnik, Ekspert i Lartë për Mbrojtjen e Fëmijëve në EUROPOL dhe menaxher i projektit analitik AP Twins dhe “Help4U”, si dhe të z. Ethan Collins, ekspert i kompanisë CENTRIC, kompani ndërkombëtare e specializuar në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike dhe platformave për sigurinë digjitale dhe mbrojtjen e fëmijëve online.
Workshop-i mblodhi 34 ekspertë dhe profesionistë nga institucione shtetërore, struktura të sigurisë, institucione arsimore dhe organizata të shoqërisë civile, të angazhuar në mbrojtjen e fëmijëve online. Ndër pjesëmarrësit ishin oficerë policie, inspektorë të policimit në komunitet, oficerë sigurie në shkolla, mësues, psikologë, punonjës socialë, gazetarë dhe ekspertë të sigurisë kibernetike.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballet Shqipëria në mbrojtjen e fëmijëve në hapësirën online, duke u fokusuar te raportimi i rasteve, rritja e ndërgjegjësimit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e rreziqeve kibernetike ndaj të miturve.
Aktiviteti u realizua me mbështetjen e programit suedez SCPA, i cili synon forcimin e kapaciteteve parandaluese të Policisë së Shtetit përmes policimit në komunitet, duke rritur bashkëpunimin me qytetarët, besimin ndaj institucioneve dhe aksesin në një sistem policor më efikas dhe më të sigurt.
Ky aktivitet evidentoi edhe njëherë bashkëpunimin e ngushtë dhe efektiv ndërmjet Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit dhe EUROPOL, në drejtim të luftës kundër krimit kibernetik dhe mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën digjitale.
Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, nga rreziqet në hapësirën digjitale.





