Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Gjatë 24 orëve të fundit, si rezultat i angazhimit të strukturave policore janë finalizuar 3 operacione:

1 për goditjen e veprimtarive kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, armëmbajtjes pa leje dhe mallra të dyshuara kontrabandë, dhe 2 për goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit dhe fshehjes së të ardhurave.
Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar 8 shtetas dhe 1 është shpallur në kërkim. Janë sekuestruar një shumë parash,  dokumente të dyshuara të falsifikuara, lëndë narkotike kokainë, 2 armë zjarri, municion luftarak, peshore elektronike, mjet prerës, 249 steka me paketa cigaresh të  dyshuara kontrabandë etj.

Gjithashtu, janë kapur 7 shtetas që ishin shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, krime kundër personit ose pronës.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste të tjera në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 6 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 9 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 3 autorë të arrestuar, 12 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve kibernetike, me 2 autorë të proceduar, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 11 raste të krimeve kundër mjedisit, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 të shpallur në kërkim.

Janë goditur dy raste të vjedhjes, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për një rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë arrestuar 7 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas të tjerë që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 shtetas të dëmtuar, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në të gjithë territorin janë proceduar penalisht 8 shtetas të tjerë dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar 1 shtetas për trafikim të mjeteve motorike dhe 1 tjetër për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke iu garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimat të sigurt.