Berat
Në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe në vijim të zbatimit të programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, i cili synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e nxënësve për çështje që lidhen me sigurinë dhe mirëqenien e tyre, u zhvillua një takim me drejtuesit e institucioneve arsimore të qarkut Berat.
♀️ Në këtë takim morën pjesë Drejtori i DVP Berat, Drejtues Luigj Vathi, Zv/Drejtori për Sigurinë Publike, Drejtues Fran Kaçorri, drejtuesit e ZVA-ve, si dhe drejtorët e gjimnazeve të qarkut Berat.
Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e sigurisë në ambientet shkollore, parandalimin e fenomeneve negative që cenojnë të rinjtë, si dhe rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet Policisë, institucioneve arsimore dhe prindërve.
Drejtori i DVP Berat, Drejtues Luigj Vathi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave të Policisë dhe institucioneve arsimore, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për nxënësit dhe stafin pedagogjik.
Nga ana e tyre, drejtuesit e institucioneve arsimore shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me Policinë, në funksion të rritjes së sigurisë dhe ndërgjegjësimit të të rinjve për respektimin e ligjit dhe shmangien e sjelljeve me risk.
Programi “Siguria e të rinjve” do të vijojë me aktivitete dhe takime informuese në shkollat e qarkut Berat, me fokus edukimin ligjor, parandalimin e dhunës, bullizmit, përdorimit të lëndëve narkotike, si dhe rreziqeve që vijnë nga përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale.

