Drejtori i Përgjithshëm Skender Hita, konferencë për shtyp

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në konferencë për shtyp, mbi mënyrën e re të komunikimit të Policisë së Shtetit, me median dhe me qytetarët

Të nderuar përfaqësues të medias,
Të nderuar qytetarë,

Jam sot, para jush, për të çelur një kapitull të ri në mënyrën e komunikimit që unë, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por dhe të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore dhe strukturave të tjera policore, duhet të kemi në raport me median dhe publikun.

Policia e Shtetit është një institucion në shërbim të qytetarëve dhe çdo veprim i yni ka në themel garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit. Pikërisht për këtë arsye, ne e konsiderojmë transparencën një element të domosdoshëm të punës sonë, sepse vetëm përmes saj mund të ndërtohet besimi reciprok mes qytetarëve dhe Policisë.

Sot dua të ndaj me ju një vendim të rëndësishëm të Policisë së Shtetit, që lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si ne komunikojmë me publikun.

Ky vendim nuk vjen rastësisht, por është rezultat i një reflektimi serioz mbi reagimet e shumta të qytetarëve, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për impaktin negativ që krijon në shoqëri, mënyra se si përcillen çdo ditë lajmet mbi ngjarjet kriminale, dhe për shumë lajme që ne japim nga çdo qark, në përmbledhjet ditore.

I kam pritur dhe dëgjuar këto shqetësime me shumë seriozitet dhe përgjegjësi, kam kryer konsultime me specialistë të fushës, kam komunikuar me shumë nga homologët e mi në Ballkan dhe Europë, dhe më rezulton se mënyra se si veprojmë ndikon negativisht në shoqëri dhe në jetën e përditshme të qytetarëve.

Nisur nga sa më lart, Policia e Shtetit do të zbatojë një formë të re komunikimi, më të përgjegjshme, më të strukturuar dhe në përputhje me modelet më të mira evropiane.

Dua ta theksoj qartë, kjo nuk është një tërheqje nga transparenca, përkundrazi, është një hap përpara drejt një transparence më cilësore dhe më profesionale, sepse ne besojmë se qytetarët nuk kanë nevojë vetëm për më shumë informacion, por për informacion të saktë, të verifikuar dhe të përgjegjshëm, për informacion të matur që të mos ndikojë te perceptimi negativ dhe te kriminalizimi i shoqërisë.

Çfarë ndryshon konkretisht me formën e re të komunikimit?

Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.

Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë. Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet më tej.

Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark.

Së katërti, për ngjarje me impakt të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare.

Pse po e bëjmë këtë ndryshim?

Mbingarkesa me lajme kriminale, shpesh të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar dëmton jo vetëm hetimet, por edhe besimin e qytetarëve te institucionet.

Policia e Shtetit nuk është vetëm kronikë krimi, por ajo është çdo ditë në terren për parandalimin, për bashkëpunimin me komunitetin, për takimet me këshillat e sigurisë, si dhe për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Këto janë vlera që duhet të komunikohen po aq fort sa edhe lufta kundër krimit.

Të nderuar përfaqësues të medias, të nderuar qytetarë,

Kjo konferencë nuk duhet parë thjesht si një komunikim periodik me median, por si pjesë e një standardi të ri institucional, ku informimi publik do të jetë më i plotë, më i drejtpërdrejtë dhe më pranë shqetësimeve reale të qytetarëve. Ne jemi të vetëdijshëm se sfidat përballë rendit dhe sigurisë janë të shumta, por po aq i vendosur është edhe angazhimi ynë për t’i përballuar ato me seriozitet dhe profesionalizëm.

Qëllimi im është i qartë, të ndërtojmë një komunikim që informon, por nuk alarmon, që është transparent dhe i përgjegjshëm, që forcon besimin dhe jo pasigurinë.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht transparente me qytetarët, por njëkohësisht më e përgjegjshme në mënyrën se si komunikon.
Qëllimi ynë nuk është thjesht të informojmë më shumë, por të informojmë më drejt, më saktë dhe gjithmonë në interes të sigurisë së çdo qytetari.

Në këtë frymë bashkëpunimi dhe transparence, jam i hapur për pyetje për çështje të cilat kanë afektuar opinionin publik gjatë muajit që lamë pas.

Faleminderit!