Belsh
Transportonte me furgon pasagjerë, mes tyre nxënës shkolle, ndërsa ishte në gjendje të dehur, ndalohet 53-vjeçari.
Shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me ato të Stacionit të Policisë Belsh, në vijim të punës për garantimin e sigurisë rrugore, bazuar në një informacion të siguruar se një shtetas drejtonte furgonin në gjendje të dehur, kanë ndërhyrë menjëherë.
Në aksin Belsh–Gjolene u konstatua furgoni tip “Benz Sprinter”, me drejtues shtetasin S. Gj., 53 vjeç, i cili transportonte pasagjerë, mes tyre nxënës shkolle.
Pas kryerjes së testit të alkoolit me aparat matës, drejtuesi i furgonit rezultoi në masën 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l.
Drejtuesi i furgonit është shoqëruar në ambientet e Policisë dhe po kryhen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë morën masa për transportimin e sigurt të nxënësve dhe pasagjerëve me një mjet tjetër.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë dhe mbrojtjen e jetës në rrugë.
