Korçë -Elbasan
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë ditës së sotme, zhvilloi takime me strukturat e drejtorive vendore të Policisë Korçë dhe Elbasan, si dhe me ato të Kufirit dhe Migracionit, Korçë.
Gjatë takimeve, Drejtor Hita theksoi së në të dyja qarqet është bërë punë e pamjaftueshme në drejtim të parandalimit dhe goditjes së armëmbajtjes pa leje, shitjes së lëndëve narkotike dhe kapjes së shtetasve në kërkim.
Drejtor Hita kërkoi angazhim maksimal për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, duke siguruar informacion cilësor, nga inteligjenca kriminale.
Më tej, Drejtori theksoi nevojën për rritjen e performancës së shërbimit policor në të gjitha nivelet, aplikim të teknologjisë gjatë përmbushjes së detyrave të Policisë Rrugore, në zbatim të përpiktë të porosive për mosndalim të automjeteve, pa shkak, në akset kryesore nacionale, ndëshkim të parkimeve të gabuara që bëhen burim aksidenti ose pengojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve.
Gjithashtu, Drejtori kërkoi reagim në kohë dhe profesional të shërbimeve të Policisë kur ka ngjarje apo kur kërkohet nga qytetarët, ndjekje në dinamikë të çdo shqetësimi të ngritur nga qytetarët dhe angazhim maksimal, duke filluar nga Shefi i Komisariatit deri te Patrullat e Përgjithshme, për garantimin e sigurisë në shkolla.
Po gjatë takimit, Drejtor Hita theksoi se është bërë një punë e pamjaftueshme nga ana e strukturave të Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare në tërësi, si dhe goditjen e trafiqeve dhe të ndihmës për emigrantët e paligjshëm që tentojnë të përdorin territorin e Shqipërisë, si vend transit drejt shteteve të Bashkimit Europian, në veçanti. Gjithashtu, kërkoi rritjen e performancës së shërbimit në pikat e kalimit kufitar, pasi ato janë kontakti i parë i qytetarëve dhe i turistëve, me vendin tonë.
Në përfundim të të dyja takimeve, Drejtori i Përgjithshëm kërkoi luftë pa kompromis ndaj paligjshmërive, reagim në kohë reale dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat policore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar në kohë çdo shqetësim, paligjshmëri apo informacion që disponojnë, për të kontribuar kështu, në rritjen e parametrave të sigurisë dhe rendit publik.






