Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Bashkëpunimi me qytetarët godet dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor “Bashkëpunimi”. Sekuestrohen armë, municion luftarak, drogë, makineri përpunimi të lëndës narkotike, një automjet, targa automjetesh dhe një sasi parash e përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Vihen në pranga 3 shtetas, si dhe procedohen penalisht 3 të tjerë. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Bashkëpunimi”, në kuadër të të cilit u godit një rast i armëmbajtjes pa leje dhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës vunë në pranga shtetasin K. L., banues në Durrës, të cilit gjatë kontrollit iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak. Operacioni ka vijuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, ku falë bashkëpunimit me qytetarët dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit, në kuadër të procedimit penal të vitit 2020, u godit një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Si rezultat u vunë në pranga shtetasit D. Rr., 24 vjeç dhe S. P., 23 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 13 Plazh, Durrës, si dhe u proceduan penalisht shtetasit XH. B., 24 vjeç, S. N., 30 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje dhe armëmbajtje pa leje, dhe V. M., 35 vjeçe. Në zonën e Plazhit të qytetit Durrës, specialistët për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit në automjetin e shtetasit XH. B., gjetën dhe sekuestruan dy grirëse të lëndës narkotike që shërbejnë për përgatitjen e saj në doza dhe një palë targa, si dhe gjatë kontrollit fizik të shtetasit S. P., gjetën dhe sekuestruan 18.5 gramë lëndë narkotike kanabis e ndarë në doza dhe një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.
Dibër – Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet në banesat e personave të kthyer nga vendet e prekura nga COVID-19. Thyen rregullin për vetëkarantinim, gjobitet nga Policia një 29-vjeçar. Gjobitja me masë administrative në vlerën 700.000 lekë, për shtetasin E. S., 29 vjeç, banues në Dibër. Ky shtetas, më datë 03.03.2020 është kthyer nga Italia dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar. Gjatë kontrolleve që ka bërë, Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij. Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″, Policia e ka ndëshkuar këtë shtetas, me masën administrative në vlerën 700.000 lekë. Policia apelon edhe njëherë për të gjithë ata shtetas që janë njoftuar për vetëkarantinim që të zbatojnë me rigorozitet këtë detyrim në të mirë të shëndetit të tyre dhe njerëzve të tjerë.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 47 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar, 5 janë ndaluar dhe 32 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë të ndaluar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 1 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i ndërtimit pa leje, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast aksidenti në të gjithë territorin, me 1 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.