Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Again”
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe vodhi në 2 banesa gjatë ditëve të fundit, vihet në pranga 22-vjeçari.
22-vjeçari nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar motomjetin që drejtonte.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara në bazë të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë vepra penale kundër personit dhe pronës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Again”.
Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi K. V., 22 vjeç, banues në Astir.
Gjatë operacionit, në zonën e Astirit, shërbimet e Policisë i bënë shenjë ndalimi motomjetit me të cilin lëvizte ky shtetas, por ai nuk iu bind urdhrit dhe vijoi lëvizjen me shpejtësi. Pas ndjekjes policore nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i tij.
Nga verifikimet rezultoi se 22-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, dyshohet se ky shtetas, në datat 22.04.2026 dhe 23.04.2026, ka vjedhur shuma parash në 2 banesa.
Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera ku mund të jetë përfshirë shtetasi K. V.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
