Tiranë
Vijon operacioni policor i koduar “Fati i Lojërave”, goditet një tjetër vatër e paligjshme e lojërave të fatit.
Në pranga administratori dhe kamarieri i lokalit ku organizoheshin lojëra fati.
Strukturat e Policisë së Shtetit intensifikojnë kontrollet dhe godasin pa ndërprerje çdo formë të paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar “Fati i Lojërave”, arrestuan në flagrancë shtetasit K. Sh., 20 vjeç, dhe E. B., 33 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se në rrugën “Ali Progri”, në lokalin që administrohej nga shtetasi E. B., ku ishte i punësuar edhe 20-vjeçari, organizoheshin lojëra fati në kundërshtim të hapur me ligjin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celularë, si dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të goditur çdo tentativë për ushtrimin e lojërave të fatit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshëm.

