Raporti i ngjarjeve, 16 prill 2024

Tropojë

Qarkullonte me armë zjarri pistoletë në qytetin e Bajram Currit, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.

Nga verifikimet rezultoi se 23-vjeçari i armatosur e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, ky shtetas kishte qëlluar më parë, me armë zjarri, në ajër.

Sekuestrohen arma e zjarrit me municion luftarak dhe automjeti.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë goditur një rast të kësaj veprimtarie në qytetin e Bajram Currit. Për këtë rast u arrestua shtetasi:

-A. Gj., 23 vjeç, banues në Bajram Curri.

Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Bajram Currit, duke qarkulluar me automjetin tip “Benz”, ku gjatë kontrollit iu gjet 1 armë zjarri pistoletë, me municion luftarak.

Nga kryerja e testit të alkoolit, 23-vjeçari rezultoi në gjendje të dehur.

Nga hetimet dyshohet se shtetasi A. Gj. ka qëlluar në ajër, me armën e zjarrit që e posedonte pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit

FAST Albania kontribuon nëpërmjet rrjetit ENFAST, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacionit policor, finalizohet nga Policia belge operacioni i koduar “Ndërveprimi”.

Kapet në Belgjikë një 29-vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Vlorës për vrasje, kryer në bashkëpunim, dhe plagosje.

Shërbimet e FAST Albania, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kanë siguruar informacion se një shtetas i dënuar për krime kundër personit fshihej në Belgjikë.

Informacioni është shkëmbyer në kohë reale me partnerët belgë, nëpërmjet rrjetit ENFAST dhe, si rezultat, në kuadër të operacionit të koduar “Ndërveprimi”, u mundësua lokalizimi, kapja në Belgjikë dhe arrestimi me qëllim ekstradimin e shtetasit:
Nasi Hodo, 29 vjeç, i lindur në Sarandë.

29-vjeçari kërkohej ndërkombëtarisht, sepse në vitin 2019, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Në muajin korrik 2017, shtetasi Nasi Hodo, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ka vrarë me mjet prerës (thikë) shtetasin P. B., si dhe ka plagosur rëndë shtetasin E. M., gjatë një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Borsh, Sarandë.

Gjithashtu, 29-vjeçari është autor i plagosjes së shtetasit D. K.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve belgë, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e shtetasit Nasi Hodo në Shqipëri, me qëllim kryerjen e pjesës së mbetur të dënimit, 13 vjet, 6 muaj dhe 27 ditë burgim.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për “Vjedhje”, e “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” kapet dhe ndalohet 31-vjeçari.

Në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër kapën dhe ndaluan shtetasin S.B., 31 vjeç, banues në fshatin Fushë-Alie, Dibër.

Ky shtetas kishte dalë nga banesa e tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Po nga këto shërbime u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A.T., 50 vjeç, banues në Peshkopi, pasi ka tejkaluar lejen e ndërtimit të dhënë nga organet përkatëse.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K.T., 67 vjeç, banues në fshatin Vajkal, pasi ka ndezur zjarr për djegien e disa barishteve, por si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe me bimësi;
-L.R., 49 vjeç dhe M.L., 67 vjeç, të dy banues në Bulqizë, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë duke transportuar me një furgon, lëndë drusore të prera në mënyrë të paligjshme.
-Rr.B., 47 vjeç, banues në Bulqizë, pasi për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me shtetasin S.Gj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë

Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës për zhvillimin e një tubimi, më datë 17.04.2026, nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para godinës së Kryeministrisë.

Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka marrë masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit në vendin dhe afatin kohor të kërkuar.

Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme dhe të nesërme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
nga ora 23:45 e datës 16.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;
nga ora 15:00 e datës 17.04.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës apelon për organizatorët e tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, apelon që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. V., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, ka mbajtur një shumë parash që i ishte lënë me mirëbesim nga një shtetas, për t’iu dorëzuar një të treti.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Gj. B, pasi dje, ka njoftuar sallën operative duke pretenduar se në një automjet është vendosur lëndë plasëse. Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se njoftimi ishte i rremë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. B., për veprën penale “Prishje e qetësisë publike”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen D. Gj., për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. T., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin L. Sh., për motive të dobëta;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen L. P., pasi dyshohet se ka goditur me shpullë, shtetasen M. M.;
-shpallën në kërkim shtetasin K. L., pasi dyshohet se ka vjedhur një pajisje, në një automjet në shërbim taksi. Punohet për kapjen e shtetasit K. L..
-shpallën në kërkim shtetasen e huaj, M. Ch., pasi dyshohet se ka braktisur në spital, fëmijën e saj të mitur. Punohet për kapjen e shtetases M. Ch..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
-shtetasin F. S., pasi dyshohet se ka goditur me grushte, shtetasin F. K., për motive të dobëta;
-2 të mitur, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, me njëri-tjetrin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për:
-shtetasin E. P., pasi dyshohet se ka goditur me grusht, shtetasin E. S., për motive të dobëta;
-një të mitur, pasi dyshohet se ka goditur me send të fortë, një të mitur, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin M. C., 23 vjeç, pasi ka kallëzuar një 17-vjeçare, se më datë 14.04.2026, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj. Punohet për kapjen e 23-vjeçarit, si dhe për verifikimin e kallëzimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 vunë në pranga shtetasin F. S., 31 vjeç, pasi u kap jashtë banesë, duke qenë me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin F. B., 31 vjeç, pasi dyshohet se automjeti që drejtonte në gjendje të dehur, është përplasur me automjetet që drejtonin shtetaset E. W. dhe U. M.. Si pasojë janë dëmtuar 2 drejtueset e automjeteve dhe 1 pasagjer në automjetin që drejtonte shtetasja E. W., të cilët janë kujdesin e mjekëve.

Më datë 15.04.2026 shtetasi M. R. kallëzoi se në Thumanë, shtetas të paidentifikuar prej tij, i kishin marrë me forcë, varësen e floririt. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të rastit;
-Më datë 15.04.2026, rreth orës 13:00, një shtetas njoftoi sallën operative, se kishte të shtëna me armë zjarri, në Yzberisht. Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se njoftimi ishte i rremë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka bërë njoftimin e rremë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. N., 21 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik në lagjen “24 Maji” iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor Urban dhe Interurban në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori, pasi shtetësja E. B. ka kallëzuar se në rrugën “Hajredin Danushi”, një mjet i ka dëmtuar automjetin e saj të parkuar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Punohet për identifikimin e mjetit dhe drejtuesit të tij.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, i cili në lagjen “Isa Boletini” u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier ndaluan shtetasin në kërkim Xh. P., 45 vjeç, banues në fshatin Çermë Shkumbin, Divjakë, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 3 muaj e 27 ditë burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. H., 47 vjeç, banues në fshatin Dërmenas, Fier, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi E. H., i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin M. M., 40 vjeç, banues në Patos, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit M. Ç., 43 vjeç, dhe J. Ç., 30 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu kanë gjetur sasi të lëndës së dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. G., 68 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke shtetërore dhe ka kanosur një 62-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. A., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Ç., banues në fshatin Klos, Mallakastër, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në tokën e tij, për të djegur mbeturinat, dhe nga përhapja e flakëve janë djegur disa pemë ulliri të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. A., 48 vjec, banues në Korçë, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur 4 automjete të parkuara në rrugë, në lagjet nr. 3 dhe 7, Korçë. Pasi u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, 48-vjeçarit iu bë testi i alkoolit dhe rezultoi se e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur;
-arrestuan në flagrancë shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. Sh., 25 vjeç, banues në fshatin Vashtëmi, Maliq, pasi në fshatin Vloçisht, dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e një 36-vjeçari, disa produkte ushqimore. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. Sh. është autori i vjedhjes së ndodhur më datë 14.03.2026, në fshatin Vashtëmi, në banesën e një 45-vjeçareje, (rezidente në Greqi), ku janë marrë disa pajisje elektroshtëpiake;
-referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin F. A., 33 vjeç, banues në fshatin Maliq, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një 42-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit R. B., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, dhe Xh. L., 61 vjeç, banues në fshatin Vërdovë Pogradec, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Gjatë kontrollit në subjektin me administrator shtetasin R. B., punonjësit e OSHEE-së kanë konstatuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Shtetasi Xh. L., me detyrë faturist i OSHEE Pogradec, dyshohet se nuk ka kryer kontrollin e matësit të energjisë elektrike në këtë subjekt.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. F., 34 vjeç dhe R. F., 33 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.14, Korçë, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit R. F., u gjetën një valixhe me çipsa që dyshohet se përdoren për lojëra fati, një grirëse për lëndë narkotike dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të celularit të shtetasit E. F., u gjetën faqe aktive për baste sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë, sasia e lëndës narkotike, grirësja e lëndës narkotike dhe çipsat.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Durrës

Specialistët e për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin O. T., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në PKK Port Durrës, në dalje, gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në kamionin që ai drejtonte, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën një pajisje elektronike (përforcues valësh), një shumë monetare, të padeklaruara dhe pa dokumentacion shoqërues, si dhe një sasi të vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisja elektronike, një shumë e konsiderushme parash, lënda e dyshuar narkotike, kamioni dhe celulari i të arrestuarit.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-R. Ll., 25 vjeç, banues në Shkallnur, pasi është konfliktuar me një 24-vjeçar, si dhe gjatë kontrollit fizik iu gjetën sasi të vogla të lëndëve të dyshuara narkotike Cannabis Sativa dhe Kokainë;
-M. H., 22 vjeç, banues në Kavajë, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një sasi lënde e dyshuar Cannabis Sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin polak D. K., 22 vjeç, administrator i një subjekti që bën punime me dru, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash shtetasit J. I., duke e mashtruar se do t’i ndërtonte një shtëpi druri.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-L. H., 28 vjeç, E. B., 39 vjeç dhe E. B., 31 vjeç, pasi në lagjen nr. 16, në lokalin që administronte 31-vjeçari, dyshohet se organizonin lojëra fati, nëpërmjet celularëve. Gjatë kontrollit, ata nuk iu janë bindur urdhrave të punonjësve të Policisë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularë;
-Y. L., 54 vjeç, K. B., 40 vjeç, M. B., 40 vjeç dhe E. Sh., 32 vjeç, pasi në lagjen nr. 18, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta;
-për një 16-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik i është gjetur një përforcues grushti;
-R. H., 28 vjeçe, banuese në Durrës, pasi u konstatua duke lypur, bashkë me 2 fëmijët e saj të mitur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. H., 46 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka kundërshtuar dhe penguar punonjësit e Policisë Bashkiake Kavajë, gjatë hapjes së një rruge kalimi në pronë publike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit D. F., 25 vjeç dhe L. H., 23 vjeç, të dy banues në Fermë Sukth, pasi dyshohet se kanë vjedhur 1 mjet lundrues, 3 mjete pune dhe 1 televizor, në banesën e shtetasit F. A., në Shijak. Punohet për kapjen e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi:
-një 15-vjeçare ka konsumuar mbidozë medikamentesh. Ajo po merr mjekim në QSU Tiranë;
-në lagjen nr. 4, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në automjetin në lëvizje, me drejtues shtetasin E. K., 30 vjeç. Si pasojë është djegur pjesërisht automjeti;
-ka kallëzuar shtetasja D. L., banuese në Tiranë, se është larguar nga banesa, bashkëshortja e djalit të saj, shtetasja bullgare Y. L., 40 vjeçe, bashkë me vajzën e tyre të mitur;
-ka kallëzuar shtetasi A. A., se është larguar nga banesa, bashkëjetuesja e tij, shtetasja B. M., 29 vjeçe.
Punohet për gjetjen e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi ka kallëzuar shtetasi A. T., banues në Shijak, se ka humbur kontaktet me vëllanë e tij, shtetasin A. T., banues në Shijak. Punohet për gjetjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi aksidentin rrugor në aksin “Balldre–Torovicë, informojmë se shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin R. O., 24 vjeç, banues në Lezhë. Nga verifikimet rezultoi se motomjeti pa targa, që u përplas me një mur rrethues, drejtohej nga 24-vjeçari, pa leje drejtimi. 24-vjeçari dhe pasagjerja në motomjet, të dëmtuar nga aksidenti, vijojnë të jenë në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. Xh., 36 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike, ndaj djalit të saj, 13 vjeç.

Dje, kallëzoi shtetasi A. M., 65 vjeç, se i kishin vjedhur armën e gjahut të vëllait të tij, e cila posedohej me leje nga ky i fundit, në banesën e tyre të përbashkët, në Milot. Punohet për përcaktimin e autorësisë dhe rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Vijojnë goditjet kundër veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.

Shiste lëndë narkotike në qytetin e Vlorës, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 22-vjeçari.

Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike Cannabis Sativa që iu gjet në momentin e kapjes nga Policia dhe një sasi e kësaj lënde, që iu gjet në banesë.

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Vlorës dhe kanë arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin:

-S. K., 22 vjeç, banues në Vlorë.

Ky shtetas është ndaluar nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Pavarësia”, ku gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, u gjet një tjetër sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas e posedonte lëndën narkotike, me qëllim shitjen në qytetin e Vlorës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. M., 59 vjeç, pasi u kap në rrugën “Qemal Stafa”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-M. S., 29 vjeç, pasi në aksin rrugor “Peqin-Elbasan”, automjeti që ai drejtonte në gjendje të dehur u përplas me automjetin me drejtues shtetasin F. P., me pasojë vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. K., 53 vjeç, pasi ka ndezur zjarr në fshatin Strorë, për të djegur disa barishte, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe toke pyjore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. A., 26 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj një 20-vjeçareje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. B. dhe K. B., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin F. K., 20 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. A., 50 vjeç, banues në Kosovë, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëjetueses së tij.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, shtetasi K. D., 29 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti është përplasur me një mur. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës së Policisë Theth referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. I., 26 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Kamëz/Finalizohet operacioni i koduar “Double”.

Plagosën rëndë një shtetas, duke e goditur me sende të forta, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetasit në kërkim.
Njëri nga të ndaluarit, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e dy shtetasve në kërkim, si rezultat e një pune të mirorganizuar për lokalizimin dhe kapjen e tyre, finalizuan operacionin e koduar “Double”.

Gjatë operacionit u kapën shtetasit:
-I. M., 45 vjeç, banues në Kamëz, i dënuar më parë për amëmbajtje pa leje;
-B. A., 38 vjeç, banues në Kamëz.

Në vijim të veprimeve procedurale, u ekzekutua urdhri i ndalimit i nxjerrë nga Prokuroria e Tiranës, më datë 15.04.2026, për këta 2 shtetas, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi dyshohet se më datë 03.04.2025, kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin A. H., të cilit i janë shkaktuar dëmtime të rënda.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Dibër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Siguria”.

Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike tek adoleshentët.

Kapet në flagrancë, në tentativë për të shitur doza kanabisi, vihet në pranga 22-vjeçari.

Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një shumë parash.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas disa ditësh hetimesh në terren, kanë siguruar informacion për një shtetas që shiste lëndë narkotike kanabis adoleshentëve.

Në vijim, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Siguria”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kapën në flagrancë në lagjen “Nazmi Rushiti”, dhe arrestuan shtetasin L.K., 22 vjeç, banues në Peshkopi, në tentativë për të shitur doza kanabisi.

Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në doza, gati për shitje, si dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë

Në vitin 2023, në bashkëpunim me vëllanë, plagosi rëndë, një shtetas, kapet në Shëngjin, 22-vjeçari.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacionit të siguruar në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim për krim kundër personit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Mbështetje Operacionale dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kapën në Shëngjin, shtetasin e akuzuar, G. M., 22 vjeç, banues në fshatin Ishull Shëngjin.

22-vjeçari ishte në kërkim pasi Gjykata e Lezhës, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Nga veprimet hetimore dyshohet se në muajin gusht, 2023, në fshatin Gjadër, i ndaluari ka bashkëpunuar me vëllanë e tij, shtetasin E. M. (të arrestuar në muajin nëntor, 2023), për plagosjen e rëndë, me armë zjarri, të shtetasit D. Gj..

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. K., 32 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj kushërirës së tij dhe nënës së saj;
-G. I., 42 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 52-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. C., 19 vjeç, S. B., 21 vjeç dhe për 3 shtetas të mitur 17 vjeç, të pestë banues në Këlcyrë, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me shtetasit K. J., 20 vjeç dhe M. M., 24 vjeç, të dy banues në Këlcyrë. Gjithashtu, shtetasi M. C. dyshohet se i ka thyer xhamin e automjetit, shtetasit M. M..

Specialistët për Sektorin e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. S., 44 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “18 Shtatori”, automjeti që e drejtonte në efektin e alkoolit është përplasur me një automjet tjetër. Nga përplasja janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.