Interpol Tirana – Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”

✅Ekstradohet nga Gjermania, një 27-vjeçar që duke shpërdoruar detyrën si punonjës i PKK Port, Durrës, mori 3000 euro, për të lejuar një shtetas të kalonte kufirin, ilegalisht.

✅Ekstradohet nga Italia, një 42-vjeçar që kanosi dhe goditi 2 shtetas, me armë zjarri.

Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Gjermani dhe Itali, nëpërmjet Interpol Wiesbaden dhe Interpol Romës, gjatë 2 fazave të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve:

-N. B., 27 vjeç, i lindur në Durrës, i cili u kap nga Policia gjermane, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. GjKKO-ja, në vitin 2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse akuzohet se ka shpërdoruar detyrën “Inspektor” në Policinë Kufitare në portin e Durrësit, duke marrë në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, 3000 euro, për të lejuar një shtetas që të kalonte kufirin, me parregullsi;

-E. V., 42 vjeç, i lindur në Tiranë, i cili u kap nga Policia italiane, pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjykata e Apelit, Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar këtë shtetas, me 2 vjet burgim, pasi në vitin 2014, ka kanosur në rrugë, me armë zjarri, 2 shtetas, të cilët gjithashtu i ka dëmtuar, duke i goditur me këtë send. Nga dënimi, 42-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit dhe 20 ditë burgim.