Tiranë/Kanosi me armë zjarri, për motive të dobëta, një 33-vjeçar, dhe i përplasi qëllimisht automjetin, arrestohet 22-vjeçari

DVP Tiranë

Kanosi me armë zjarri, për motive të dobëta, një 33-vjeçar, dhe i përplasi qëllimisht automjetin, arrestohet 22-vjeçari.

Gjithashtu, i arrestuari dhe shtetas të tjerë, ushtruan dhunë ndaj 33-vjeçarit.

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në lagjen “Bathore”, ndërmjet disa shtetasve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan në vendngjarje, për të identifikuar shtetasit përgjegjës dhe për të sqaruar rrethanat.

Si rezultat, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit A. E., 22 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, fillimisht, me automjetin që drejtonte, ka përplasur automjetin që drejtonte shtetasi B. J., 33 vjeç.

Gjithashtu, 22-vjeçari, dyshohet se me qëllim kanosjen e shtetasit B. J., ka qëlluar në ajër, me armë zjarri, dhe më pas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, e ka goditur me grushte.

Automjeti tip “Range Rover” i 22-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Vijojnë kërkimet për gjetjen e armës që dyshohet se ka përdorur i arrestuari, si dhe vijojnë hetimet dhe veprimet operacionale për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.