Mat / Finalizohet operacioni policor i koduar “Limiti”.
Vodhën një biznes në fshatin Batër, falë veprimeve të shpejta hetimore identifikohen, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar, ndërsa shpallet në kërkim një tjetër.
Gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua një sasi malli e kallëzuar si e vjedhur, një automjet i përdorur në ngjarje, 1 aparat celular, 1 bajonetë metalike, 1 dorezë metalike, si dhe veshjet e autorëve që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas njoftimit për një rast vjedhjeje në një biznes në fshatin Batër, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Falë reagimit të menjëhershëm, në kuadër të operacionit policor “Limiti”, u bë e mundur arrestimi i shtetasve:
• M.H., 30 vjeç;
• Y.P., 31 vjeç, banues në Burrel, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K.N., 23 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një sasi mallrash në një subjekt tregtar.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.
