Malësi e Madhe – Arrestohet 1 shtetas që kreu disa paligjshmëri, në një subjekt në fshatin Vrakë

Arrestohet 1 shtetas që tentoi të vidhte 2 automjete, dhe dëmtoi njërin prej tyre.

Gjithashtu, i arrestuari dëmtoi subjektin për shitje pjesësh për automjete, ku tentoi të vidhte.

Gjatë kontrollit u konstatua se ky shtetas posedonte lëndë narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Menjëherë pas marrjes së informacionit se në një subjekt për shitje pjesësh për automjete, në fshatin Vrakë, një shtetas kishte kryer disa paligjshmëri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe organizuan punën për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit.

Si rezultat, u vu në pranga shtetasi M.(S.) K., 58 vjeç, banues në fshatin Vrakë.

Ky shtetas dyshohet se ka tentuar të vjedhë 2 automjete, në një subjekt në këtë fshat.
Më pas, ai ka dëmtuar gomat e njërit prej tyre, dhe ka dëmtuar, duke ngjyrosur me spraj, fasadën e subjektit.

Në momentin e kapjes, 58-vjeçarit iu gjet me vete, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.