Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Multigames”

Zbulohen 2 lokale ku organizoheshin ilegalisht, lojëra fati, me kompjuterë dhe me celularë.

Arrestohen 3 shtetas (administrator dhe punonjës në këto subjekte).

Sekuestrohen nga të dyja subjektet, 6 njësi kompjuterike dhe monitorë, 4 celularë dhe bileta me baste sportive.

Në vijim të kontrolleve të bazuara te puna operative, me objektiv evidentimin e subjekteve të vëna në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Multigames”.

Gjatë operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit B. K, 20 vjeç, S. M., 24 vjeç dhe E. B., 18 vjeç, pasi:
-në rrugën “Muhamet Deliu”, në lokalin që administronte 24-vjeçari dhe ishte punonjës shtetasin B. K., dyshohet se viheshin baste sportive, me celularë;
-në rrugën “Mysym Keta” , në lokalin ku ishte i punësuar shtetasi E. B., u gjetën 2 kompjuterë që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati.

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie të kundërligjshme, vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.