Dibër / Takim koordinues për masat në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike

Dibër / Takim koordinues për masat në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.

Në ambientet e Prefekturës së Qarkut Dibër u zhvillua një takim ndërinstitucional, i drejtuar nga Prefekti i Qarkut, z. Nexhbedin Shehu, me fokus koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.

Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Drejtues Armir Gjikolaj, zv/drejtori për Hetimin e Krimeve, shefat e komisariateve të policisë në qark, Prokurorja znj.Rajmonda Xhelollari, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore, administratorë të njësive administrative dhe kryetarë të fshatrave.

Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Policisë z.Gjikolaj, theksoi se lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike mbetet një prioritet i vazhdueshëm për Policinë e Shtetit, pasi ky fenomen përbën jo vetëm një veprimtari kriminale, por edhe një problem me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike, shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit.

Referuar të dhënave të analizës vjetore për vitin 2025, në territorin e qarkut Dibër janë evidentuar vetëm dy raste të kultivimit të bimëve narkotike, çka pasqyron angazhimin serioz dhe bashkëpunimin efektiv mes institucioneve përgjegjëse.

Në vijim, për vitin 2026, strukturat policore do të rrisin intensitetin e kontrolleve në terren dhe do të forcojnë bashkëpunimin me pushtetin vendor, me synim identifikimin dhe goditjen në kohë të çdo tentative për kultivimin e bimëve narkotike, përfshirë edhe rastet e kultivimit në ambiente të mbyllura.

Në përmbyllje të takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit me komunitetin, rritja e ndërgjegjësimit përmes aktiviteteve sensibilizuese dhe angazhimi i institucioneve arsimore si një faktor i rëndësishëm në parandalimin afatgjatë të këtij fenomeni.