Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”

Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.

Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar, 1 shtetas që akuzohet se ka siguruar mjete dhe kushte për vrasjen e një shtetasi, në vitin 2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Mbretërinë e Bashkuar, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit:

-L. L. alias K. L. alias I. L., 49 vjeç, lindur në Lushnjë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.10.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

49-vjeçari dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit L. H., A. T., L. S., E. Xh. dhe B. B., për të kryer vrasjen e shtetasit A. B., më datë 27.12.2021, në fshatin Gjocaj, Peqin.
Ai dyshohet se ka siguruar armët për kryerjen e këtij krimi dhe mjetet e transportit për largimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit kriminal, nga vendi i ngjarjes.