DVP Korçë/Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje

DVP Korçë/Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.

Posedonte pistoletë si stilolaps, me fishekë, kapet në flagrancë në një lokal dhe vihet në pranga 32-vjeçari.

Sekuestrohet pistoleta me formën e stilolapsit.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, strukturat e DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan punën dhe lokalizuan shtetasin e dyshuar, në një lokal në fshatin Podgorie, Maliq.

Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një send i dyshuar pistoletë me fishekë, i ngjashëm me stilolapsin, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin E. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.