Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. M., 19 vjeç, banues në Sarandë, pasi në rrugën “Studenti”, Sarandë, dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur një punonjës të Policisë Bashkiake, për shkak të detyrës. Punohet për kapjen e shtetasit E. M. dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e Stacionit të Policisë Selenicë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasin M. L., 57 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se më datë 16.02.2026, në fshatin Drashovicë, ka kanosur shtetasin A. A., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili administron një gurore në këtë fshat, i ka thyer me gurë xhamat e fadromës dhe ka dëmtuar portën kryesore, me pretendimin se toka ku ushtron aktivitetin gurorja është në pronësi të tij.
Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. A., 23 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan prokurorive përkatëse në Vlorë dhe Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Informacion paraprak – Rreth orës 10:20, në rrugën Transballkanike, automjeti me drejtuese shtetasen I. P., 26 vjeçe, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte një shtetas ende i paidentifikuar. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i biçikletës, i cili po merr mjekim në spitalin e Vlorës.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Kamëz/Informacion paraprak
Rreth orës 11:40, shtetasi D. K, rreth 42 vjeç, dyshohet se është vetëhedhur nga ura e Babrroit dhe ka rënë në rrugën e Unazës Lindore. Si pasojë, ai ka humbur jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-S. M., 34 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-A. B., 23 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. Zh., 42 vjeç, dhe F. E., 37 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan-Bradashesh”, automjetet që ata drejtonin janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 drejtuesit e automjeteve dhe 4 pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin B. Zh..
Specialistët e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. B., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. B., 58 vjeç, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke rilidhur furnizimin me ujë të pijshëm në banesën e tij, të cilin bashkia ia kishte ndërprerë për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi për shtetasin B. D., 51 vjeç, mësues në një shkollë 9-vjeçare në Peqin, pasi dje, ka kallëzuar një nxënës i klasës së 7-të të kësaj shkolle, se më datë 10.02.2026, në oborrin e shkollës, ky mësues e ka goditur në trup, për motive të dobëta.
-Gramsh/ Në vijim të informacionit të dhënë më datë 13.02.2026, për largimin nga banesa të një 14-vjeçareje, informojmë se kjo shtetase u gjet dhe u kthye në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo deklaroi se ishte larguar me dëshirën e saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan
Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, ku shfaqet një furgon që kryen parakalim të gabuar në kushtet e fushëpamjes së kufizuar, në aksin rrugor “Librazhd-Qafë Thanë”, bëjmë me dije se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë kryer veprimet verifikuese dhe kanë vendosur ndaj drejtuesit të furgonit masën administrative 10 000 lekë të rinj, bazuar në pikën 15, të nenit 146 të Kodit Rrugor.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe sipas ligjit.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasit:
-A. B., 37 vjeç, banues në Delvinë;
-E. S., 39 vjeç, banues në Elbasan;
-F. Z., 30 vjeç, banues në Fier.
Këta shtetas dyshohen se kanë kaluar ilegalisht në Greqi.
—
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Kapshticë, në dalje të RSH, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim:
-J. W., banues në Amerikë.
Gjatë verifikimit në sistem, ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga DVP Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”. Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga Komisariati i Policisë Vlorë, ku pas konsultimit me Prokurorin shtetasi J. W., do të ndiqet në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë njoftuar Policinë e Tiranës, për zhvillimin e një tubimi, më datë 20.02.2026, në orën 18:00, para Kryeministrisë.
Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në bazë të disa pamjeve të filmuara në zonën e quajtur “Ish fusha e aviacionit” dhe të publikuara në rrjete sociale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. M., për veprat penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale në vende publike“ dhe “Keqtrajtimi i kafshës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit e huaj, M. E., A. A. dhe S. S., pasi dyshohet se kanë vjedhur disa vegla, në subjektin ku ishin të punësuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen L. M., 34 vjeçe, pasi dyshohet se ka gjuajtur me shpullë, shtetasen Th. A.;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Zh., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. V., pasi dyshohet se ka goditur dhe ka kanosur shtetasin E. T., për motive të dobëta;
-shpallën në kërkim shtetasin M. K., pasi dyshohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë shuma parash, shtetases M. A.. Punohet për kapjen e këtij shtetasi dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. M., pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë automjeti është përplasur me murin rrethues të një banese. Shtetasi P. M. është aktualisht në kujdesin e mjekëve.
Më datë 19.02.2026, kallëzuan shtetasit:
-S. I., se kishin publikuar fotografi, pa pëlqimin e saj, në një rrjet social;
-A. B., se kishin hapur një llogari false në një rrjet social, me kredencialet e shkollës ku kallëzuesi jep mësim;
-A. J., se shtetas të paidentifikuar prej tij, e kishin goditur me grushte.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të të treja rasteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin V. Gj., 54 vjeç, banues në fshatin Bërdicë e Sipërme, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më datë 19.02.2026, në aksin rrugor “Vau i Dejës-Pukë”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka marrë flakë gjatë lëvizjes, automjeti me drejtues shtetasin K. B., 37 vjeç, banues në Burrel. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin K. H., 27 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin egjiptian M. N., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me shuplakë, një 55-vjeçar.
Dje, ka kallëzuar shtetasja M. N., 38 vjeçe, banuese në Durrës, se i kanë vjedhur motomjetin e saj, që e kishte lënë të parkuar prej 2 muajsh në lagjen nr. 16. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe gjetjen e motomjetit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë arrestuan në flagrancë shtetasin G. S., 62 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dimal shpallën në kërkim shtetasin E. P., 40 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se nëpërmjet thirrjeve/mesazheve telefonike, ka kanosur ish-bashkëjetuesen e tij. Punohet për kapjen e 40-vjeçarit.
Informacion paraprak/Dje, kallëzuan familjarët e shtetasit I. K., 42 vjeç, banues në Skrapar, se ai ishte larguar nga banesa. Shërbimet e Policisë nisën menjëherë kërkimet dhe gjatë kërkimeve gjetën pranë kanioneve të lumit Osum, konkretisht në vendin e quajtur “Ura e Blezënkes”, motomjetin dhe sendet personale të 42-vjeçarit. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas mund të jetë hedhur në lumë. Vijojnë kërkime për gjetjen e këtij shtetasi, si dhe vijojnë hetime për të dokumentuar rrethanat e rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A.K., 55 vjeç, banues në Gjoricë, pasi në aksin rrugor Ostren–Shupenzë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit T.S., 29 vjeç, dhe Y.M., 36 vjeç, banues në Gjoricë, Bulqizë, si dhe për shtetasit R.D., 30 vjeç, dhe B.D., 37 vjeç, banues në Luzni, Dibër, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Shkodër/Vijojnë goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 9”. Shkon 14 numri i rasteve të kësaj veprimtarie kriminale, të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.
Zbulohet në lagjen “10 Korriku”, një ambient (tunel) i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Kapen në flagrancë në këtë ambient dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtari kriminale.
Vihet në pranga 1 punonjës të OSHEE-së dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, për shpërdorim detyre.
Sekuestrohen 670 fidanë dhe bimë të dyshuara narkotike kanabis dhe 254 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre.
Në vijim të planit të masave për evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, strukturat e specializuara të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjen dhe përpunimin e tyre për shitje.
Si rezultat, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 9”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (tunel), në oborrin e një banese të marrë me qira nga shtetasi A. P., në lagjen “10 Korriku”, i cili ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 555 fidanë dhe 115 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 126 llamba, 80 paisje inventer, 31 panele led dhe 17 filtra ajri, që shërbenin për kultivimin dhe tharjen e fidanë dhe bimëve narkotike.
Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. P., 35 vjeç, banues në Shkodër dhe K. H., 30 vjeç, banues në fshatin Degë, Tropojë, të cilët u kapën në ambientet e tunelit.
Gjithashtu, u vu në në pranga shtetasi D. S., 40 vjeç, banues në Shkodër, si dhe nisi hetimi për shtetasit D. P., 32 vjeç, M. H., 35 vjeç dhe F. V., 23 vjeç, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
Krujë/Zhvillohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “Tracking”.
Gjenden në fshatin Zall, Fushë Krujë, dhe sekuestrohen arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni luftarak, si dhe lëndë narkotike Cannabis Sativa.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim poseduesi i tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kanë siguruar informacion për një ambient ku mbaheshin armë zjarri. Gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Zall, Fushë Krujë, afër banesës së shtetasit Y. Z., u gjetën në tokë dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
-24 kallëpë tritoli, 11 granata dore sulmuese, sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitila zjarrpërcjellës, 5 ndezës granatash, 74 kapsolla detonatore, 19 mbështjellje sferike C4, 11 kallëpë dinamiti;
-27 djegore;
-3 armë zjarri, krehra dhe pjesë armësh;
-2 silenciatorë, 9000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
-6 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-uniforma policie dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim shtetasi Y. Z., 49 vjeç, i cili nga hetimet e para dyshohet se është poseduesi i tyre.
Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Ndërkohë, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifkimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
