DVP Korçë / Takim ndërinstitucional për koordinimin e masave kundër kultivimit të bimëve dhe trafikut të narkotikëve.
Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Korçë, i drejtuar nga Drejtori i DVP Korçë Drejtues Vilson Bala, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Saimir Muçaj, Drejtorit të Drejtorisë së Menaxhimit të Informacionit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Drejtues i Parë Arben Saliu, Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë Drejtues Gëzim Zhupaj, Prefektes së Qarkut Korçë znj. Florinda Zegulla, përfaqësues nga Gjykata Korçë dhe Shërbimi Informativ Korçë, si dhe punonjësve të tjerë të strukturave të DVP dhe DVKM Korçë.
Gjatë takimit u analizua puna e realizuar gjatë vitit 2025 dhe masat që po zbatohen aktualisht, si dhe u evidentuan problematikat dhe sfidat që lidhen me terrenet e vështira, ku janë konstatuar tentativa për kultivim, bazuar edhe në përvojat e viteve të mëparshme.
Gjithashtu, u shqyrtua ecuria e masave të marra si identifikimi i zonave me rrisk të lartë dhe ushtrimi i kontrolleve dhe rikontrolleve për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Falë bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese, ky fenomen ka njohur një rënie të vazhdueshme në qarkun e Korçës duke dëshmuar efikasitetin e strategjive të ndjekura.
Në këtë kuadër, u përcaktuan masat dhe prioritetet për vitin 2026, me fokus intensifikimin e kontrolleve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimin e metodave të avancuara të monitorimit të territorit, me qëllim goditjen e çdo tentative kultivimi që në fazat e hershme.
Strukturat e DVP Korçë mbeten maksimalisht të angazhuara në parandalimin dhe goditjen e çdo rasti të kultivimit të bimëve narkotike, duke vijuar kontrollet dhe operacionet në të gjithë territorin e qarkut.





