Vlorë/Policia e Vlorës dhe institucionet përgjegjëse, plotësisht të koordinuara në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i angazhimit maksimal, profesionalizmit dhe punës së pandërprerë të strukturave të Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese dhe ato vendore, fenomeni i kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Vlorë ka pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit, duke arritur në nivelin më të ulët historik gjatë vitit 2025.
Në ambientet e DVP Vlorë u zhvillua takimi i grupit rajonal për qarkun Vlorë, i organizuar nga Drejtori i DVP Vlorë, Drejtues Elidon Çela. Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Drejtues i Lartë Saimir Muçaj, Prefektja e Qarkut Vlorë, znj. Evis Allushi, Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, z. Erjon Shqari, si dhe Drejtuesja e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, znj. Silvana Belishta.
Gjithashtu, në takim morën pjesë përfaqësues të Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Shërbimi Informativ Shtetëror, institucioneve vendore të arsimit, operatorëve të shpërndarjes së energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizimeve, si dhe drejtues e punonjës të strukturave të Policisë në DVP dhe DVKM Vlorë.
Takimi u fokusua në:
-analizën e detajuar të rezultateve të arritura gjatë vitit 2025;
-vlerësimin e ecurisë së zbatimit të masave parandaluese dhe goditëse;
-identifikimin dhe hartëzimin e zonave me risk të lartë, bazuar në evidencat e viteve të mëparshme;
-rritjen e efektivitetit të kontrolleve në terren, përfshirë patrullimet në këmbë dhe monitorimin me mjete ajrore pa pilot (dronë).
Gjatë diskutimeve u evidentua qartë se suksesi i arritur është rezultat i bashkëpunimit të strukturuar ndërinstitucional, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, analizës së përbashkët të riskut dhe ndërhyrjes së koordinuar operacionale.
Në kuadër të planifikimit për vitin 2026, u përcaktuan strategjitë dhe masat konkrete që do të zbatohen, të cilat konsistojnë në:
-intensifikimin e kontrolleve sistematike në zonat e identifikuara;
-forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me prokurorinë dhe institucionet e tjera përgjegjëse;
-përdorimin e metodave të avancuara teknologjike për monitorimin dhe kontrollin e territorit;
-goditjen e çdo tentative për kultivim që në fazë të hershme;
-sensibilizimin e vazhdueshëm dhe të targetuar të komunitetit, nëpërmjet fushatave informuese, takimeve me banorët, strukturat arsimore dhe aktorët vendorë, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e përfshirjes në veprimtari të paligjshme.
Strukturat e DVP Vlorë mbeten maksimalisht të angazhuara në parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale në fushën e narkotikëve, duke vijuar operacionet e mirëkoordinuara, punën intensive operative, bashkëpunimin me qytetarët dhe kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin e qarkut, si garanci për sigurinë dhe rendin publik.





