Raporti i ngjarjeve, 30 janar, 1 shkurt, 2 shkurt, 2026

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, E. K., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se më datë 24.01.2026, ka blerë karburant, në një subjekt në rrugën “Egnatia”, me 2 kartëmonedha (në prerjen 100 dollarë), të dyshuara false. Kartëmonedhat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Nga verifikimet, 24-vjeçari rezultoi në kërkim nga Policia e Vlorës, për 2 raste të tjera të së njëjtës veprimtari kriminale, të kryera gjatë muajit janar, 2026. Vijon hetimi për të zbardhur raste të tjera në këtë fushë, në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. K..

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-G. Z., 38 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se si pasojë e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, ka dëmtuar me mjetin e punës (piru) që drejtonte, punonjësin në të njëjtin subjekt, shtetasin B. R., 59 vjeç i cili është në kujdesin e mjekëve, aktualisht jashtë rrezikut për jetën;
-E. M., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka shkuar në banesën e bashkëshortes së tij, në kundërshtim me urdhrin e mbrojtjes që ka shtetasja;
-Sh. R., 73 vjeç, A. R., 43 vjeç dhe A. R., 39 vjeç (babë e bij), të tre banues në Durrës, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes së 43-vjeçarit;
-K. K., 23 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap duke vënë baste sportive, me celular. Celulari u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 47 vjeç, banues në Malësi të Madhe, pasi nga kontrolli i kryer në kamionin që drejtonte në hyrje të Republikës së Shqipërisë, u gjetën mallra (2 piktura, 14 shishe verë dhe 4 goma për automjet) të dyshuara të kontrabanduara, pasi për to nuk disponoheshin fatura blerjeje. Mallrat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Kavajë/Finalizohet operacioni i koduar “Houses”, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për zbardhjen e vjedhjeve.

Më 1 shkurt, tentoi të vidhte në 2 banesa, kapet menjëherë sapo kishte vjedhur disa aksesorë, në një banesë tjetër, 25-vjeçari.

25-vjeçari, banues në Sarandë, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Sekuestrohen aksesorët e vjedhur (5 ora dhe 3 unaza).

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve, për raste të vjedhjes së pronës/pasurisë së tyre, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë finalizuan operacionin e koduar “Houses”, si rezultat i të cilit u zbardhën tri vjedhje/tentativa për vjedhje në banesa.

Gjithashtu, u kap menjëherë pas kryerjes së një vjedhjeje, dje, në një banesë në lagjen nr. 2, shtetasi G. D., 25 vjeç, banues në Sarandë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, dje, ka tentuar të vjedhë edhe në 2 banesa, në fshatin Blerimaj.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 25-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, gjatë 48 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-K. P., 18 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjet, pa leje drejtimi;
-L. B., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte në Mirditë, dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Nga aksidenti janë dëmtuar 43-vjeçari dhe një i mitur (pasagjer në automjet). Të dëmtuarit janë në kujdesin e mjekëve dhe aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, këto shërbimet referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B. M., 40 vjeç dhe B. B., 29 vjeçe, të dy banues në Tiranë, sepse kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, për të paraqitur dokumentet e automjetit që drejtonte 40-vjeçari, i cili është konstatuar duke kryer parakalim të gabuar, në aksin rrugor “Lezhë–Milot”. Gjithashtu, të dy kanë tentuar të largohen nga vendi i ndalimit. Në përfundim të veprimeve procedurale, për parakalimin e gabuar, 40-vjeçari u ndëshkua me masat administrative 21 000 lekë gjobë dhe zbritje të 15 pikëve në lejen e drejtimit, në zbatim të neneve 141/10, 190/2, 190/6, 120/1/1, 120/1/2, 127/3/1, 196/1 dhe 178/1/ç të Kodit Rrugor.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, Sh. R., 41 vjeç, banues në Mamurras, pasi Gjykata e Lezhës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. S., 50 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj kushëririt të tij dhe i ka dëmtuar lokalin. Gjatë kontrollit në banesën e 50-vjeçarit, u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu që e mbante pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
•arrestuan shtetasin K. J., 42 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
•arrestuan shtetasin R. D., 25 vjeç, pasi u kap jashtë banesës, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”;
•referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për shoqërimin e shtetasit E. L., pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin R. K. dhe i ka dëmtuar automjetin.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3:
•arrestuan shtetasin A. H., 38 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëshortes së tij;
•arrestuan shtetasin R. K., 21 vjeç, pasi iu gjet një armë e ftohtë (përforcues grushti);
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. L., pasi dyshohet se është konfliktuar me fqinjin e tij, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. P., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasin B. V.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ndaluan shtetasin D. M., 36 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Gjithashtu, ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
•arrestuan shtetasin B. S., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij;
•referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. D., pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur shtetasin A. Xh.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
•arrestuan shtetasit L. S., 36 vjeç, G. Xh., 45 vjeç, dhe F. N., 29 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
•arrestuan shtetasin S. S., 25 vjeç, pasi automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. H. Si pasojë janë dëmtuar 2 pasagjerët në automjetin me drejtues shtetasin V. H., të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Më datë 01.02.2026:
•shtetasi A. J. kallëzoi se i kanë vjedhur 2 targat e automjetit. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit;
•është dërguar në spital, për mjekim, shtetasi K. D., 56 vjeç, pasi duke pastruar vendin përreth një kabine elektrike, dyshohet se është dëmtuar nga rryma. Ai vijon të jetë në kujdesin e mjekëve. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 11:00, në aksin rrugor “Ujë i Ftohtë-Radhimë”, në vendin e quajtur “Kalaja”, shtetasi P. K., 64 vjeç, duke drejtuar automjetin kamionçinë, ka humbur kontrollin dhe si pasojë kamionçina ka dalë nga rruga.

Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi P. K., i cili u dërgua në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
• A. S., 41 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka kallëzuar një shtetase, se ai e ka goditur me shkelma;
• A. R., banues në Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi ka gërmuar një sipërfaqe toke afër banesës së tij.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit: A. C., 46 vjeç, E. S., 55 vjeç dhe I. S., 21 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me sende të forta (shkopinj), shtetasin E. A., 37 vjeç, banues në Sarandë, i cili mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Punohet për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, për dy raste;
-në një kompleks turistik në Orikum, në pronësi të shtetasit Q. H., dyshohet se janë vjedhur pajisje dhe materiale pune, me vlerë rreth 1500 euro. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve;
-shtetasja Q. H., 30 vjeçe, ka kallëzuar se në lagjen “Pavarësia”, i ka humbur kamera e automjetit të saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës dhe të Sarandës, për veprime të mëtejshme.

Berat/Vijojnë goditjet kundër prodhimit/shitjes së narkotikëve.

Lëviznin me automjet, për të shitur lëndë narkotike Kokainë dhe Cannabis, arrestohet 1 shtetas (drejtuesi i automjetit) dhe procedohet penalisht 1 (pasagjeri në automjet).

Gjenden në automjet dhe sekuestrohen sasi të këtyre lëndëve.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se 2 shtetas lëviznin me automjet, në aksin rrugor “Dimal-Kuçovë”, për të shitur lëndë narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat mundësuan lokalizimin dhe ndalimin e automjetit të dyshuar, me drejtues shtetasin N. Ç., 40 vjeç dhe pasagjer shtetasin K. Q., 28 vjeç.

Nga kontrolli në këtë automjet u gjetën sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen nga 2 shtetasit.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, 40-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa 28-vjeçari u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Fushëbardhë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 34 vjeç, banues në Berat, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi të vogël Cannabisi, ndërsa gjatë kontrollit në banesë i gjetën një sasi fishekësh për armë gjahu. Sasia e lëndës narkotike dhe fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasit E. K., 37 vjeç, dhe L. D., 29 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan shtetasin K. M., 68 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. C., 42 vjeç, banues në Divjakë, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, i është afruar ish-bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. H., 42 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 22 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 18 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnjë, pasi drejtonte pa leje drejtimi, një motomjet pa targa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Divjakë/Dje, në fshatin Fierseman, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi G. S., 54 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvarur.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Dibër / Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim B.D., 25 vjeç, banues në fshatin Dohoshisht, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet pas një hetimi me metoda speciale, faza e pestë e operacionit të koduar “Relay”.

Arrestohet një shtetas maqedonas që transportonte emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së.

Identifikohet organizatori i këtij rasti, i cili dyshohet se iu ka marrë emigrantëve, nga 2500 euro, me premtimin se do t’i transportonte në Itali.

Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash.

Si rezultat i një hetimi, me metoda speciale, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me objektiv goditjen e një tjetër rasti të transportimit të emigrantëve, ilegalisht dhe kundrejt pagesave, në shtete të BE-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve finalizuan operacionin e koduar “Relay 5”.

Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi maqedonas, J. N., 41 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. A., 33 vjeç, banues në Durrës.

41-vjeçari u kap në flagrancë, në aksin rrugor “Kashar-Thumanë”, teksa transportonte 2 emigrantë.
Ndërkaq, nga hetimi dyshohet se 33-vjeçari iu ka marrë secilit prej emigrantëve, 2500 euro, me premtimin se do të mundësonte transportimin ilegal të tyre, në Itali.

Punohet për kapjen e shtetasit M. A. Gjithashtu, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimi për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin L. B., 44 vjeç, pasi në aksin rrugor “Cërrik–Elbasan”, automjeti që ai drejtonte, në gjendje të dehur, ka përplasur një automjet të parkuar. Si pasojë e përplasjes, u dëmtua drejtuesi i automjetit të parkuar, shtetasi D. K., 36 vjeç, i cili ndodhej jashtë mjetit. 36-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. Ç., 22 vjeç, dhe E. D., 18 vjeç, pasi këta kanë goditur me grushte shtetasin A. K., 27 vjeç, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. D., 44 vjeç, pasi ka goditur me grushte shtetasin A. D., 25 vjeç, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasit:
-B. B., 30 vjeç, banues në fshatin Aliaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-N. Xh., 74 vjeç, banues në Shkodër, pasi mbrëmë, në rrugën “Qemal Draçini”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasi N. Sh., 74 vjeç. Si pasojë është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. F., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi gjatë kontrollit nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër i është gjetur dhe sekuestruar një patentë shqiptare e dyshuar e falsifikuar;
-M. T., 53 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, pasi ka kallëzuar shtetasja V. T., 22 vjeçe, se gjatë viteve 2024 dhe 2025, ky shtetas ka shantazhuar atë dhe familjarët e saj, nëpërmjet adresave false në rrjete sociale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Finalizohet operacioni policor i koduar “Targat”

Vidhte në Durrës targa të automjeteve shqiptare dhe të Kosovës dhe dyshohet se ua shiste personave me precedent për të kryer krime kundër personit dhe pronës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

36-vjeçari nga Kosova dyshohet si autor i vjedhjes në disa raste të targave të automjeteve.

Sekuestrohen dy palë targa, shqiptare dhe kosovare, kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një maskë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Targat”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. Q., 36 vjeç, nga Kosova.

Ky shtetas u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, Plazh-Durrës, me mjetin tip “Ford”, me targa të vjedhura në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Ford”, në bagazh janë gjetur edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, si dhe në sediljen e shoferit janë gjetur kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç (i ngjashëm me maskat).

Mjete të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për kryerjen e vjedhjeve.

Sendet e mësipërme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas është autor i vjedhjes së targave edhe në dy automjete të tjera, të ndodhura muajt e fundit.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale të “Vjedhjes” dhe “Sigurimit të mjeteve për vjedhje”.

Vau i Dejës/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.

Akuzohet si bashkëpuntor për përshtatjen e 2 ambienteve (banesa) për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba, në fshatin Barbullush, vihet në pranga 46-vjeçari.

Nga këto 2 ambiente, disa javë më parë, u sekuestruan 583 bimë narkotike kanabis, rreth 7.5 kg kanabis dhe 307 pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës ndaluan shtetasin Gj. G., 46 vjeç, banues në fshatin Barbullush, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Neonët 5”.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar atij, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”, të kryera në bashkëpunim.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Shkodër / Informacion paraprak

Rreth orës 20:05, në sheshin “Demokracia”, automjeti me drejtues shtetasin N. Xh., është përplasur me shtetasin N. Sh., i cili po lëvizte me biçikletë.

Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasi N. Sh., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Librazhd

Në vijim të informacionit të dhënë për bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor “Librazhd – Qafë Thanë”, në vendin e quajtur Dragostunjë, ju njoftojmë se aktualisht rruga është hapur dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në të dyja kahet e lëvizjes.

Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat janë prezente në të gjithë gjatësinë e aksit, me qëllim monitorimin e lëvizjes së lirë të automjeteve.

Për shkak të fluksit të shtuar, Policia Rrugore e Elbasanit apelon për kujdes gjatë qarkullimit, qëndrimin në radhë dhe respektimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në rast nevoje, apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit që sjellin për pasojë ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, telefononi në 112 dhe kontaktoni shërbimet e Policisë që janë në detyrë.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. I., 50 vjeç, banues në Lekbibaj, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, pasi dje, në lagjen “Liria”, në një subjekt “dyqan”, për shitjen e qymyrit të drurit, në pronësi të shtetasit S. R., 63 vjeç, dyshohet se aksidentalisht ka marrë zjarr një bombol gazi. Si pasojë, është dëmtuar lehtë shtetasja A. R., 52 vjeçe, dhe ka pasur disa dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës shpallën në kërkim shtetasit G. S., 40 vjeç, dhe R. S., 35 vjeçe, bashkëshortë, banues në Durrës, të cilët administrojnë një qendër trajnimi për qen, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Shkelja e karantinës së bimëve dhe kafshëve”.
Ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit R. I. dhe M. D., se janë mashtruar, duke dërguar qentë e tyre për trajnim dhe nuk i kanë marrë më. Punohet për kapjen e tyre dhe sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 42 vjeç, banues në Kavajë, pasi ka dalë jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Më datë 31.01.2026, rreth orës 14:50, në rrugën “Vjena”, në Golem, është gjetur pa shenja jete, në trotuar, shtetasi A. K., 66 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune.
Paraprakisht dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Mat/Informacion paraprak

Më datë 01.02.2026, në aksin rrugor Mat–Shkopet, shtetasi K.K., duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke rënë në një përrua.

Shërbimet e Policisë Rrugore po kryejnë veprimet me drejtuesin e automjetit, i cili nuk ka pësuar lëndime, ndërkohë automjeti është nxjerrë nga vendi ku kishte rënë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

PKK Port, Durrës

Vijojnë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në kufi.

Tentoi të kontrabandonte mallra duke i fshehur në kamionin që drejtonte; vihet në pranga një 37-vjeçar.

Sekuestrohen pije alkoolike dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura, të gjitha të padeklaruara.

Si rezultat i kontrolleve të imtësishme të ushtruara në hyrje-dalje nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Port, Durrës, të bazuara në informacione policore dhe në analizën e riskut
u arrestua në flagrancë shtetasi J. T., 37 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehura në kamionin që drejtonte qindra shishe me verë dhe pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh, pa faturë origjine dhe pa deklaratë importi.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka tentuar t’i shmanget kontrollit doganor dhe kufitar, duke mos deklaruar sasinë e mallrave para autoriteteve doganore dhe kufitare.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
360 shishe verë,
pjesë të ndryshme këmbimi automjetesh të përdorura,
aparati celular dhe kamioni me të cilin po transportoheshin mallrat e padeklaruara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. B, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur shtetasin I. Z;
-R. J, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-bashkëshortes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku punohet për shoqërimin e shtetasit E. L, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin R. K, dhe më pas i ka dëmtuar automjetin.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin L. I., 36 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vëllait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin K. N., 40 vjeç, pasi gjatë kontrollit, iu gjet një armë e ftohtë me vete;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin Th. K, në rrugën “Muhamet Deliu”, u kap duke hedhur dhera.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ekzekutuan vendimin e Gjykatës për ndalimim e shtetasit S. D., 28 vjeç, të cilin e ka dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-ndaluan me iniciativë shtetasin H. Ll, 42 vjeç, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase të mitur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. D, Xh. D dhe një shtetas i mitur pasi për motive të dobta janë goditur me grushta me njeri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku punohet për shoqërimin e shtetasit E. H, pasi dyshohet se ka kanosur shtetasin D. D.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasit G. I., 28 vjeç, B. E., 27 vjeçe dhe S. K., 23 vjeçe, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. D., pasi me automjetin që drejtonte ka aksidentuar këmbësoren shtetasen S. S, 87 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Më datë 31.01.2026, në rrugen “Halil Hoxha”, në ambientet e një lokali, dyshohet se si pasojë e një arresti kardiak ka ndërruar jetë shtetasi J. A., 62 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë, për vlerësimin e rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Librazhd

Në aksin rrugor Librazhd – Qafë Thanë, në vendin e quajtur Dragostunjë, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali, qarkullimi i automjeteve është bllokuar plotësisht në të dyja drejtimet.

Shërbimet e Policisë Rrugore ndodhen në këtë zonë dhe po bashkëpunojnë me firmën kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin në një kohë sa më të shpejtë të aksit rrugor me qëllim fillimin e lëvizjes së automjeteve.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë që duan të udhëtojnë në drejtim të Korçës dhe anasjelltas të shmangin lëvizjen deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.

Mirditë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”.

Dogji një dyqan me materiale të përdorura dhe tentoi të digjte edhe një gomisteri, falë reagimit të shpejtë e profesional të Policisë, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga një 52-vjeçar.

Autori i dyshuar, me precedent kriminal të mëparshëm, i dënuar më parë për dhunë në familje, goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësve të Policisë, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Pas njoftimit të marrë se kishte rënë zjarr në një dyqan me materiale të përdorura, në pronësi të shtetasit Gj. D, dhe se ishin djegur disa goma në gomisterinë e shtetasit A. P., me qëllim djegien e gomisterisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë organizuan punën për zbardhjen e rrethanave të dy rasteve.

Nga veprimet e shpejta të kryera në vendngjarje lindi dyshimi i arsyeshëm se të dy rastet ishin zjarrvënie të qëllimshme.

Në këtë kuadër, në bashkëpunim me Prokurorinë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Fast”.

Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i autorit të dyshuar, shtetasit L. V., alias A. V., 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të dy rasteve të zjarrvënies.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. P., 30 vjeç, banues në fshatin Lavdar, Korçë, pasi në rrugën e fshatit Drenovë, Korçë, u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin S. B., 28 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij, si dhe ka dëmtuar me sende të forta disa orendi të banesës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një 14-vjeçar, banues në fshatin Velçan, Pogradec, pasi dyshohet se është konfliktuar fizikisht me një 17-vjeçar, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. B., 61 vjeç, banues në fshatin Selenicë, Kolonjë, pasi në afërsi të fshatit Qafëzez, Kolonjë, është konstatuar duke transportuar me një mjet tip kamion, një sasi lëndë drusore pa lejen përkatëse. Sasia e druve dhe mjeti u bllokuan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. B., 39 vjeç, banues në fshatin Rëmbec, Maliq, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin N. P., për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “LOCKDOWN”, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, nga Komisariati i Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Prokurorinë.

Goditet një grup kriminal që shiste armë zjarri në Tiranë, të trafikuara nga Kosova. Vihen në pranga 4 shtetas.

Sekuestrohen 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, një jelek multifunksional dhe 9 celularë.

Zbulohet në Selitë ambienti ku montoheshin dhe magazinoheshin armët e zjarrit.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”.

Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës hetimore dhe operacionale për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, pas një hetimi 2-mujor me metoda proaktive, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Lockdown”.

Në kuadër të operacionit bazuar në informacionet e siguruara nga hetimi për disa shtetas që dyshohej se trafikonin armë zjarri, kryesisht nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen, janë vënë në pranga shtetasit:

-G. N., 39 vjeç, R. R., 48 vjeç, K. C., 49 vjeç dhe A. C., 45 vjeç, banues në Tiranë

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin armë zjarri kryesisht nga Kosova, i sillnin ato në Tiranë dhe më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në Selitë.

Gjatë kontrollit në ambientit e përshtatur, banesave të tyre, shërbimet e Policisë 8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë), pjesë të ndryshme armësh, një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, 3 radio si ato të policisë, jelek multifunksion dhe 9 celularë.

Nën drejtimin e Prokurorisë punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Korçë

Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.

Finalizohet operacioni i koduar “Four”.

Zbardhen dhe dokumentohen 4 raste të vjedhjes së automjeteve në qytet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i tyre, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari.

Sekuestrohen sendet e vjedhura nga automjetet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, finalizuan operacionin e koduar “Four”.

Si rezultat i operacionit u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. Sh., 42 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga veprimet hetimore, këqyrja e pamjeve filmike dhe informacionet e marra në rrugë operative, dyshohet se ky shtetas është autori i vjedhjes në 4 automjete, ngjarje të ndodhura më datë 31.01.2026, në qytetin e Korçës.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një kasetofon, një pasaportë, një palë çelësa, një telefon i markës iPhone 13 Pro Max, një sasi lekësh dhe sende të tjera.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç.

Nga ana e Policisë është bërë shpallja në kërkim e shtetasve S. Z. dhe V. R., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Bulqizë / Informacion paraprak

Më datë 31.01.2026, në një zonë minerare në Bulqizë, është gjetur pa shenja jete shtetasi B. K., 58 vjeç, i cili punonte rojë private te një subjekt minerar.

Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se 58-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga një lartësi dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. D., 37 vjeç, dhe B. V., 55 vjeçe, banues në Lezhë, pasi janë konfliktuar verbalisht me njëri-tjetrin, për motive pronësie.
-M. Gj., 60 vjeç, banues në Lezhë, pasi ndaj tij është bërë kallëzim, në lidhje me një sipërfaqe toke për të cilën palët në konflikt pretendojnë pronësinë.

Ditën e djeshme, në qytetin e Laçit, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi H. P., 23 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Laç. Nga veprimet e para hetimore dhe sipas deklarimeve të familjarëve, dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Rasti është referuar për vlerësim dhe vijon puna për përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Pasditen e djeshme, në aksin rrugor “Milot–Morinë”, një automjet me drejtues ende të paidentifikuar ka përplasur këmbësorin, shtetasin Z. B., 73 vjeç. Si pasojë, ky shtetas është dëmtuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit, si dhe për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 44 vjeç, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin I. Ç., 30 vjeç, banues në fshatin Vodicë, Poliçan, pasi gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjet një sasi e dyshuar lënde narkotike cannabis sativa.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. R., 33 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se ka kryer veprime që cenojnë jetën private të bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Berat, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin A. K., 24 vjeç, banues në Shkodër, pasi më datë 29.01.2026, në ambientet e një subjekti “bar-kafe”, për motive të dobëta ka goditur me sende të forta, në fytyrë dhe në kokë, shtetasin M. D., 30 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu, po këta specialistë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-B. V., 18 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të policisë për të ndaluar automjetin e tij;
-K. P., 27 vjeç, banues në fshatin Prekal, dhe G. M., 27 vjeç, banues në Shkodër, pasi kanë kanosur shtetasin E. H., 36 vjeç, për motive të dobëta. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti që përdornin këta dy shtetas;
-u referuan materialet në Prokurori pasi më datë 28.01.2026, shtetasi I. A., 21 vjeç, për motive të dobëta është konfliktuar me shtetasit D. T., 39 vjeç, dhe F. Xh., 35 vjeç, dhe gjatë konfliktit kanë marrë disa dëmtime të lehta.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. L., 75 vjeç, banues në fshatin Naraç, pasi u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi dhe pa targa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Agjentët e rremë”.

Iu merrnin shuma të mëdhaja parash, qytetarëve, duke i mashtruar se do t’iu blinin apartamente, dhe më pas falsifikonin mandate banke, për t’i bindur për depozitimin, arrestohen 2 shtetas (bashkëjetues).

Mandatet e falsifikuara, 2 shtetasit ua paraqitnin edhe shoqërive në fushën e ndërtimit, për t’i mashtruar që të lidhnin kontrata për shitblerje apartamentesh.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore, të kryera pas kallëzimeve të disa qytetarëve se iu kishin dhënë shuma parash, 2 shtetasve, të cilët i kishin mashtruar dhe nuk kishin blerë apartamentet e kërkuara në këmbim, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Sektorit të Forces së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin e koduar “Agjentët e rremë”.

Gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. R., 39 vjeç dhe V. Z., 34 vjeçe, bashkëjetues.

Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente.
Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.
Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. D., 43 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Kokaine, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset e huaja O. K, A. A, L. Zh dhe D. K, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion, në 1 apartament të marrë me qira, në rrugën “Mine Peza”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
-arrestuan shtetasin L. H., 22 vjeç, pasi iu gjet një armë e ftohtë(përforcues grushti);
-referuan materialet në Prokurori për shtetasin R. S, pasi dyshohet se ka shpifur duke i cënuar dinjitetin shtetases J. B.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. K., pasi në anë të mashtrimit nuk i ka kthyer një shumë parash shtetasit R. T;
-punohet për shoqërimin e shtetasit I. Sh, pasi me automjetin që drejtonte ka përplasur një automjet dhe më pas është larguar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për:
-shtetasin K. Sh, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasen K. P;
-5 të mitur, pasi për motive të dobta, janë konfliktuar me njëri-tjetrin;
-shtetasit J. Ç, A. H dhe H. H, pasi dyshohet se në lokalet në administrim të tyre kanë prishur qetësinë publike, duke gjeneruar muzikë me volum të lartë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori dhe punohet për shoqërimin e shtetasit M. P, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte komshiun e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin E. L., 39 vjeç,me detyrë teknik-radiolog në një spital privat, pasi në ambientet e punës ka goditur me grushte supervizorin e tij;
-arrestuan shtetasen S. S., 50 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vjehrrës së saj;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. T, pasi dyshohet ka kanosur nëpërmjet telefonit dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj të dashures së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. L, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grusht shtetasin L. K.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori dhe punohet për shoqërimin e shtetasit A. V, pasi në anë të mashtrimit i ka marrë një shumë parash shtetasit E. K.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasit E. T., 19 vjeç dhe I. P., 19 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjetet, pa leje.

Më datë 30.01.2026, shtetasi B. M, kallëzoi se ka konstatuar se i kishin vjedhur të dy targat e automjetit të tij të cilin e ka patur të parkuar në fshatin Marqinet. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Catch 3”.

Të dënuar nga Gjykata, për plagosje të rëndë me dashje, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Kapet dhe një 35-vjeçar, në kërkim për 2 vepra penale, për llogari të DVP Elbasan.

Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 kapën dhe vunë në pranga shtetasin M. H., 31 vjeç, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. F., 29 vjeç, pasi Gjykata e Apelit e ka dënuar me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kapën shtetasin K. Dh., 35 vjeç, për të cilin Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për vepra penale “Plagosje e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”. 35-vjeçari iu dorëzua DVP Elbasan, për veprime të metejshme.

Kontrollet vijojnë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 49 vjeç, banues në fshatin Kallm i Madh, Fier, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetas 50-vjeçar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin V. K., 35 vjeç, banues në Peqin, pasi ka kanosur një shtetas 38-vjeçar, si dhe nga kontrolli i automjetit iu gjet dhe sekuestrua një armë gjahu pa leje.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi M. C., 25 vjeç, i cili kallëzon se ka humbur kontaktet me babain e tij, shtetasin M. C., 68 vjeç. Po punohet për gjetjen e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Malësi e Madhe/Vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim.

Akuzohet se në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar 1275 bimë narkotike pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj. Arrestohet 25-vjeçari.

Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë në muajin shtator.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe ndaluan shtetasin G. Sh., 25 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar në tokën pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj, 1275 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë më datë 04.09.2025.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

-I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

-Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit

Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni i koduar “Brand 3”.

Identifikohen 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Vihen në pranga 3 nga këta shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerët.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Si rezultat i hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet, është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Brand 3”.

Si rezultat, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve:
-u arrestuan shtetasit: S. B., 69 vjeç, B. Ll., 72 vjeç dhe A. B., 57 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.