Raporti i ngjarjeve, 21.01.2026

Policia e Shtetit

Apel për kujdes nga faqe mashtruese që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.

Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik informon qytetarët se së fundi është konstatuar qarkullimi i mesazheve mashtruese (SMS) dhe lidhjeve të rreme (linke), të cilat imitojnë faqen zyrtare të Policisë së Shtetit dhe synojnë mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kërkesave për pagesa të pretenduara të gjobave të automjeteve.

Lidhjet e dërguara çojnë drejt një faqeje të rreme, e cila në pamje të parë paraqitet si faqe zyrtare e Policisë së Shtetit, duke përdorur stemën institucionale, imazhe të ndërtesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente. Në hapin e parë, qytetarëve iu kërkohet të konfirmojnë identitetin, duke vendosur numrin e telefonit celular. Në hapin vijues, faqja kërkon numrin e targës së automjetit, ndërsa në fazën e fundit iu kërkohet plotësimi i të dhënave bankare, me pretendimin për kryerjen e pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale, numrave të telefonit, të dhënave të automjeteve, të dhënave bankare, PIN-eve dhe kodeve të aksesit në llogari online, duke i ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin e tyre.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për qytetarët:

-Të mos klikojnë në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;

-Të mos vendosin numra telefoni, të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare;

-Të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon konfirmim identiteti apo pagesa gjobash përmes linkeve të dërguara me SMS;

-Të verifikojnë çdo informacion vetëm përmes kanaleve zyrtare të Policisë së Shtetit;

-Në rast dyshimi apo mashtrimi, të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për parandalimin, identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre veprave, në hapësirën digjitale, si dhe fton qytetarët, që të tregojnë kujdes maksimal për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale dhe financiare.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, ndaluan një shtetas 17 vjeç, për të cilin Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. I., pasi dyshohet se ka ndërhyrë pa të drejtë, në të dhënat kompjuterike të një subjekti privat.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. P., si dhe shpallën në kërkim shtetasin Xh. P., pasi në servisin e shtetasit B. P., u gjet 1 automjet që nga verifikimet rezultoi i vjedhur në Angli. Këtë automjet dyshohet se ia ka shitur shtetasi Xh. P.. Vijon puna për kapjen e shtetasit Xh. P., si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-Sh. V., pasi posedon një certifikatë pronësie të dyshuar false. Vijon puna për sqarimin e rrethanave të rastit;
-M. D., pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën në lidhje me protokollimin e një dokumenti, për llogari të institucionit ku punon.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda vunë në pranga shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar, A. M., 27 vjeç, pasi autoritetet gjyqësore në Mbretëri të Bashkuar i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”. Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e 27-vjeçarit, në Mbretëri të Bashkuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-ndaluan shtetasin M. I., 45 vjeç, pasi është dënuar me 9 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”;
-shpallën në kërkim shtetasin A. B., pasi dyshohet se ka vjedhur portofolin e një shtetaseje. Punohet për kapjen e shtetasit A. B..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Xh. Sh., pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në subjektin ku ishte i punësuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin E. L., 36 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e rrëzimit të pompës së mjetit të punës (betoniere) që drejtonte, është dëmtuar punonjësi në të njëjtin subjekt me të, shtetasi R. R., 58 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. T., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasen L. K., 36 vjeçe, pasi mëngjesin e sotëm, në autostradën “Tiranë-Durrës” me automjetin që drejtonte ka aksidentuar këmbësorin shtetasin H. D., 68 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Më datë 20.01.2026, në rrugën “Stavri Vinjau”, në një banesë të braktisur, është gjetur trupi i pajetë i shtetasit M. B., 59 vjeç. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se ai 59-vjeçari e ka humbur jetën prej shkaqeve natyrale.

Më datë 20.01.2026, kallëzoi shtetasi A. L., se kishte humbur kontaktet me gjyshin e tij, shtetasin S. F., 81 vjeç. Punohet për gjetjen e të moshuarit.

Më datë 21.01.2026, në orët e para të mëngjesit, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka vjedhur një shumë parash, në një subjekt , si dhe më pas ka dëmtuar derën e një filiali të një banke të nivelit të dytë. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

DVP Elbasan/Informacione paraprake

Belsh/Në fshatin Rrenas, shtetasi K. I., 20 vjeç, dyshohet se ka aksidentuar me automjetin që drejtonte, shtetasen Rr. T., 73 vjeçe, këmbësore, e cila si pasojë ka humbur jetën në spital.
Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet procedurale.
Ndërkaq, grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të aksidentit.

Prrenjas/Rreth orës 12:45, dyshohet se është vetëhedhur nga ura e Bushtricës, shtetasi A. Sh., 57 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin S. H., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. L., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas, në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Kujdesit Social, ka kanosur për shkak të detyrës, me mjet të mprehtë (thikë), punonjësit e këtij institucioni. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen A. B., 26 vjeçe, banuese në Korçë, pasi dyshohet se ka shqetësuar nëpërmjet telefonit, në mënyrë të përsëritur, një 23-vjeçare.

Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.01.2026, për një konflikt fizik në lagjen nr. 3, Pogradec, bëjmë me dije se u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit E. A., 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec dhe K. F., 26 vjeç, banues në Maliq, si dhe shpallën në kërkim shtetasi K. N., 37 vjeç, banues në Pogradec, të cilët dyshohet se janë konfliktuar me 44-vjeçarin L. H..

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, pasi dyshohet se ka hyrë në oborrin e banesës së shtetasit K. Sh., e ka kanosur dhe e ka goditur me grusht atë, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-financiare të DVP Fier arrestuan shtetasin A. B., 52 vjeç, banues në Patos, punonjës i Ujësjellës-Kanalizime Patos, pasi në banesën e tij janë konstatuar lidhje të paligjshme për furnizimin me energji elektrike dhe me ujë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. B., 58 vjeç, punonjës i Ujësjellës-Kanalizime Patos, pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë rast.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin O. B., 44 vjeç, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. L., 37 vjeç, banues në Roskovec, pasi gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. B., 45 vjeç, banues në fshatin Savër, Lushnjë, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash një shtetaseje, nëpërmjet mashtrimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin S. Gj., 28 vjeç, banues në fshatin Verbas, Patos, pasi ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Në Komisariatin e Policisë Lushnjë është paraqitur shtetasi A. N., 66 vjeç, i cili kallëzoi se i kanë vjedhur një shumë parash në magazinën në pronësi të tij. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin H. E., 48 vjeç, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. L., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke rilidhur furnizimin me ujë të pijshëm në banesën e tij, të cilin bashkia ia kishte ndërprerë për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. T., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor “Cërrik-Gramsh”, automjeti që ai drejtonte është përplasur me dy automjete të tjera, me drejtues shtetasin K. Sh., 24 vjeç, dhe shtetasen turke G. Ç., 21 vjeçe. Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar lehtë shtetasit K. Sh., G. Ç., si dhe një pasagjere në automjetin që drejtohej nga shtetasja G. Ç..

Më datë 20.01.2026, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit A. P., 51 vjeç, në fshatin Gurish. Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

DVP Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni i koduar “Foleja 3″.

Ushtronte prostitucion në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Mine Peza”, arrestohet shtetasja nga Vietnami.

Procedohen penalisht 2 shtetas, përfitues nga kjo veprimtari.

Sekuestrohen shuma parash dhe 1 celular.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, si rezultat i hetimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim dokumentimin e një tjetër rasti të përshtatjes së apartamenteve të marra me qira, për ushtrim të prostitucionit, finalizuan operacionin e koduar “Foleja 3″, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasja vietnameze, Th. H., 51 vjeçe.

Nga hetimet rezultoi se ajo ushtronte prostitucion, në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Mine Peza”.

Në vijim të operacionit, nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas që dyshohet se kanë përfituar nga kjo veprimtari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Kamzë

Vijon operacioni i koduar “Members”, i zhvilluar rreth 1 muaj më parë, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, në Tiranë.

Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një tjetër pjesëtar i grupit.

Gjatë zhvillimit të operacionit, Policia arrestoi 2 pjesëtarë të grupit dhe sekuestroi 2 pistoleta me municion.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe policore, të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Members”, të zhvilluar më datë 17 dhjetor 2025, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, u ndalua shtetasi A. C., 31 vjeç, banues në Kamzë.

Gjykata e Tiranës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vepren penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. C., së bashku me shtetasit B. J. dhe Xh. Sh. (të arrestuar gjatë zhvillimit të operacionit), shiste armë zjarri, në Tiranë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Finalizohet pas 3 muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni i koduar “Anëtarët”.

Goditet një grup kriminal që shiste armë zjarri.

Vihen në pranga 3 pjesëtarë të këtij grupi, të tre me precendent penal. 2 prej tyre u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, në Tufinë, në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim 1 shtetas, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi.

Sekuestrohen 5 armë zjarri dhe municion luftarak, që dyshohet se do të shiteshin në Tufinë dhe në Fresk.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, gjatë 3 muajve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, është organizuar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe është finalizuar operacioni i koduar “Anëtarët”.

Në kuadër të këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
-I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje;
-A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe për mashtrim;
A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në Tufinë, shtetasit A. B dhe I. Z., në tentativë për të shitur 2 armë zjarri kallashnikov.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas ishin pjesëtarë të një grupi që shiste armë zjarri në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në Tufinë dhe në Fresk.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në grup.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:
-F. K., 31 vjeç, banues në Kavajë, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur;
-R. Xh., 30 vjeç, banues në Durrës, pasi automjeti që drejtonte në rrugën “Aleksandër Goga”, u përplas me automjetin që drejtonte shtetasja Z. H., 51 vjeçe, banuese në Durrës. Nga aksidenti u dëmtua 51-vjeçarja, e cila është në kujdesin e mjekëve.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori:
-ku nisi procedimi penal për shtetasin F. M., 62 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka kanosur ish-bashkëshorten e tij;
-për vlerësim, pasi dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka marrë flakë në lagjen nr. 14, automjeti që drejtonte shtetasi Sh. B.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. K., 28 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”;
-E. M., 54 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka prerë në mënyrë të kundërligjshme, disa pisha në Golem;
-P. S., 60 vjeçe, banuese në Durrës, pasi dyshohet se ka fyer një 56-vjeçare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. Q., 32 vjeç, banues në Kuçovë, pasi mbrëmë, në fshatin Lapardha, dyshohet se ka përplasur me automjetin që drejtonte, këmbësoren, shtetasen E. Q., 44 vjeçe, banuese në këtë fshat, e cila si pasojë, ka humbur jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-D. F., 62 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin Uznovë, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke;
-F. P., 25 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte, në një dyqan.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. B., 30 vjeç dhe M. B., 28 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Velabisht, pasi u kapën duke transportuar 3.4 m³ dru zjarri, të dyshuar të prerë në kundërshtim me ligjin.

Dje, kallëzoi shtetasi N. D., 79 vjeç, se vajza e tij, shtetasja Dh. D., 48 vjeçe, ishte larguar nga banesa. Punohet për gjetjen e 48-vjeçares.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

✅Përndiqte ish-bashkëjetuesen, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtin krim, ndaj së njëjtës shtetase, arrestohet në ambientet e një lokali, 39-vjeçari.

Shtetasi mbante në automjet, 1 shufër hekuri, e cila u sekuestrua bashkë me celularin dhe me automjetin e tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Mbështetjes Operacionale, menjëherë pas kallëzimit të një shtetaseje, të shoqëruar nga gazetarë të emisionit “Piranjat”, se përndiqej nga ish-bashkëjetuesi i saj, organizuan punën dhe kryen veprimet operacionale të nevojshme, për kapjen e autorit.

Si rezultat, u kap në ambientet e një lokali, autori i dyshuar i rastit, shtetasi A. A., 39 vjeç, banues në Lezhë, i cili ishte aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Përndjekja”, ndaj së njëjtës shtetase që ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje ndaj tij.

Policia e Lezhës falënderon gazetarët e emisionit “Piranjat”, për bashkëpunimin në lidhje me këtë rast, si dhe fton ata, median në përgjithësi dhe qytetarët, që të vijojnë të bashkëpunojnë ngushtë me Policinë, duke denoncuar menjëherë çdo indicie që kanë për paligjshmëri.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasit:
–M. Gj., 28 vjeç, banues në Mamurras, pasi nuk u gjet në banesë, ndërkohë që është me masë sigurie “Arrest në shtëpi”;
–P. M., 45 vjeç, banues në Milot, pasi dyshohet se ka vjedhur disa pajisje, në një servis për automjete.
Punohet për kapjen e 2 shtetasve.

Shërbimet e Policisë Rrugore:
-arrestuan shtetasin D. I., 54 vjeç, banues në fshatin Ishull Shëngjin, pasi u kap në aksin rrugor “Lezhë–Shëngjin”, duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. M., 29 vjeç, pasi në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, automjeti që drejtonte, u përplas me automjetin që drejtonte shtetasi A. Z., 58 vjeç. Si pasojë, u dëmtuan 2 pasagjere në automjetin që drejtonte ky i fundit, të cilat janë në spital, aktualisht jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-R. L., 45 vjeç, banues në fshatin Shtoi i Ri, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
-S. B., 19 vjeç, banues në Shkodër, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 64 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, pasi dje, në lagjen “Guerrile”, shtetasi I. K., 53 vjeç, ka humbur jetën në banesë, dyshohet për shkaqe natyrale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. M., 33 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 60 vjeç, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në banesën e tij u konstatua ndërhyrje në matësin e energjisë elektrike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës! ⚠️

Për shkak të reshjeve të borës, qarkullimi është vështirësuar në disa akse rrugore, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë dhe në Sarandë.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme janë në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në rast nevoje.

Policia bashkëpunon me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës . Puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.

❗️ Në Qafë Thanë, nuk do lejohet kalimi i kamionëve (rreth 2-3 orë) derisa rruga të pastrohet nga borëpastruesja në tokën maqedonase.

Policia Rrugore apelon që drejtuesit e mjeteve të:
bëjnë kujdes gjatë lëvizjes,
respektojnë sinjalistikën rrugore ,
pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore,
ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore .

Vlorë

Vijojnë kontrollet nga shërbimet e Policisë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Shiste lëndë narkotike në qytetin e Vlorës, arrestohet në flagrancë një 35-vjeçar.

Sekuestrohet një sasi kanabisi, e gjetur gjatë kontrollit të automjetit dhe të banesës.

Në kuadër të kontrolleve të intensifikuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe bazuar në informacionet e siguruara, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” arrestuan në flagrancë shtetasin F. C., 35 vjeç, banues në Vlorë.

Arrestimi u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj automjetit tip Smart që drejtohej prej tij, si dhe gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis sativa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit ✅
#nëçdoskajtëvendit

#nëshërbimtëqytetarëve

Kavajë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Drawer”.

Qarkullonte me automjet dhe i armatosur me armë zjarri pistoletë, vihet në pranga 39-vjeçari.

Sekuestrohet 1 armë zjarri (pistoletë), e fshehur në një ndarje të posaçme (sirtar) ndërmjet dy sediljeve të automjetit, si dhe municion luftarak.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Drawer”.

Në kuadër të operacionit, në lagjen nr. 1, Kavajë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndaluar për kontroll automjetin që dyshohej se drejtohej nga një shtetas i armatosur me armë zjarri.

Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehura në një ndarje të posaçme (sirtar) ndërmjet dy sediljeve të automjetit një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Q. B., 39 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, nisi procedimi penal për pasagjerin që ndodhej në automjet, shtetasin E. B., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Moskallëzim krimi”.