Sarandë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Administratori”, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, në qytetin e Sarandës.
Sekuestrohen 157 bimë narkotike, 18 kg lëndë narkotike kanabis, pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, me qëllim shitjen.
Vihet në pranga administratori i pallatit ku ishte përshtatur ambienti për këtë veprimtari kriminale.
Shpallen në kërkim 4 shtetas, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar mbi informacione të siguruara nga inteligjenca informative dhe verifikime në terren, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë finalizuan operacionin policor të koduar “Administratori”.
Si rezultat i këtij operacioni, në katin e nëntë të një pallati 9-katësh, në lagjen nr. 2, Sarandë, në dy apartamente, u konstatuan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave elektrike, si dhe për tharjen dhe përpunimin e tyre, me qëllim shitjen. Nga verifikimet rezultoi se pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi E. B., 45 vjeç, banues në Sarandë, administrator i pallatit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulsive telefonike”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit E. Sh., 48 vjeç, S. H., 26 vjeç, T. M., 28 vjeç dhe A. M., 25 vjeçe, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Po në vijim të veprimeve për këtë rast, u procedua penalisht dhe shtetasja M. B., 45 vjeçe, (bashkëshortja e shtetasit E. B., të arrestuar).
Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 157 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, 18 kg lëndë narkotike kanabis, në gjendje të thatë, 90 llamba elektrike me reflektorë, 100 siguresa elektrike, 5 kondicionerë, 15 ventilatorë, 4 filtra ajri, tubo aspirimi, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që përdoreshin për veprimtari kriminale.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
