Tiranë/Policia Rrugore, kontrolle dhe monitorim 24/7, në akset rrugore, me logjistikë bashkëkohore

Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë

Kontrolle dhe monitorim 24/7, në akset e kryeqytetit, me shërbime të shtuara dhe logjistikë bashkëkohore, për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për të menaxhuar trafikun.

Për të përmbushur këto qëllime, gjatë javës së fundit, janë evidentuar dhe ndëshkuar një sërë shkeljesh të Kodit Rrugor, për të cilat janë marrë këto masa:

-Për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit, janë proceduar penalisht 59 drejtues mjetesh, 6 prej të cilëve janë vënë në pranga, për shkak të rrezikshmërisë së lartë që paraqiti kjo shkelje, për jetën e përdoruesve të rrugës, në 6 rastet specifike. Materialet procedurale për këto raste i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme;

-Për mosrespektim të radhës në qarkullim, janë ndëshkuar 76 drejtues mjetesh. Kjo shkelje krijon rrezik të drejtpërdrejtë për aksidente rrugore dhe shoqëruar me fluksin e lëvizjes, vështirëson qarkullimin normal;

-Janë hequr me karrotrec, 53 automjete të parkuara gabim, masë e cila ka liruar hapësira publike dhe ka hequr pengesa për lëvizjen e mjeteve të transportit.

Policia Rrugore apelon sërish, për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin drejtimin e mjetit në efektin e alkoolit dhe të tregojnë kujdes dhe përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, pasi siguria rrugore është detyrim dhe përgjegjësi e përbashkët.