Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vizitohet nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare “1 Maji”

Miq të veçantë vizituan sot ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Vizita e nxënësve të shkollës 9-vjeçare “1 Maji” u zhvillua në vigjilje të 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, si dhe në vijim të aktiviteteve të organizuara në kuadër të javës “Me dyer të hapura”.

Nxënësit u mirëpritën nga drejtues dhe specialistë të shumë sektorëve në Drejtorinë e Përgjithshme, por bisedat më intensive i patën me specialistët e sektorëve për të cilët shfaqën më shumë interes, si Rendi dhe Siguria Publike, Hetimi i Krimeve Kibernetike dhe Qarkullimi Rrugor.

Vizita e drejtpërdrejtë në ambiente të ndryshme të Drejtorisë së Përgjithshme u mundësoi nxënësve një kuptim më të afërt dhe shumë më miqësor të rolit të punonjësit të Policisë, detyrave të tij të shumta dhe sfidave me të cilat përballet përditshmëria.

Nxënësit u garantuan se siguria e tyre është prioritet i punës së Policisë dhe se çdo shqetësim i tyre ndiqet menjëherë nga struktura të specializuara, me kujdes të lartë dhe afeksion të veçantë, për të bërë më të mirën e mundshme për pjesën më të ndjeshme dhe më të rëndësishme të shoqërisë, fëmijët.