Shkodër/Zbulohet një tjetër ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, me llamba.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 6”. Shkon 10 numri i rasteve të kësaj veprimtarie kriminale, të goditura në kuadër të operacionit “Neonët”.
Shpallen në kërkim 2 shtetasit që dyshohet se kishin përshtatur banesën në lagjen “Ndoc Mazi”, për të kultivuar bimë narkotike me pajisje elektrike që i furnizonin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Procedohen penalisht 2 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre, dhe 1 shtetase tjetër, për moskallëzim krimi.
Sekuestrohen 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e tyre, 1 pistoletë sportive pneumatike, municion luftarak, 1 automjet dhe 4 celularë.
Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, me pajisje elektrike, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Si rezultat, u finalizua operacioni policor i koduar “Neonët 6”.
Në kuadër të këtij operacioni u shpallën në kërkim shtetasi A. V., 35 vjeç, banues në Shkodër, dhe një 16-vjeçar, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-B. C., 33 vjeç dhe G. A., 63 vjeç, të dy banues në Shkodër, punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim;
-E. H., 22 vjeçe, banuese në Pukë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë zbuluar një ambient (banesë) në lagjen “Ndoc Mazi”, që ishte përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis. Nga kontrollet në këtë ambient, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 60 bimë të dyshuara narkotike kanabis, 57 pajisje të ndryshme elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve e tyre dhe 4 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli në banesën e shtetasit H. M., 49 vjeç, ngjitur me banesën ku kultivoheshin bimët narkotike, i cili është ndaluar më datë 11.12.2025, si i dyshuar për disa vepra penale, u gjetën 1 pistoletë sportive pneumatike pa numër, municion luftarak dhe 1 automjet, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna intensive për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.
