Raporti i ngjarjeve, 28 dhjetor 2025

DVP Elbasan/Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin O. B., 31 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen. Sot, rreth orës 13:30, në aksin rrugor “Qafë Thanë–Librazhd”, automjeti që ai drejtonte ka përplasur shtetasen F. H., 64 vjeçe, këmbësore, e cila si pasojë ka humbur jetën.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Qerret, Gramsh, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasit S. Z., 58 vjeç dhe V. Z., 65 vjeç, banues në Korçë (vëllezër) pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Gjithashtu shtetasi S. Z., dyshohet se ka dhunuar fizikisht edhe kunatën e tij (bashkëshorten e V. Z.), e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit A. B., 24 vjeç; S. T., 21 vjeç; J. Z., 19 vjeç dhe R. R., 21 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr.1, Korçë, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, dhe për pasojë kanë bllokuar qarkullimin në rrugë dhe kanë prishur qetësinë publike të kalimtarëve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. L., 44 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një mjet prerës (thikë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasen A. M., 34 vjeçe, banuese në Pogradec, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, pasi në lagjen nr.4, Pogradec, dyshohet se ka goditur fizikisht shtetasin G. B., për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Pogradec/Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr.2, Pogradec, ka rënë zjarr në automjetin e shtetasit A. M., i cili ka qenë i parkuar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin S. F., 21 vjeç, banues në Durrës, pasi me automjetin që drejtonte, në lagjen nr. 17, në rrugën “Ksanthipi Syko”, duke ecur mbrapsht, ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen V. A., e cila ndodhet në Reanimacionin e Spitalit Rajonal Durrës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi më datë 27.12.2025, rreth orës 21:45, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës është paraqitur një shtetas i mitur, 15 vjeç, i dëmtuar në fytyrë, i cili dyshohet se është dëmtuar nga lëndë piroteknike. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në banesën e tij. 15-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim mjekësor më të specializuar.

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me zjarrin në parkun e autobusëve, ku u dogjën 8 autobusë që ndodheshin jashtë funksionit, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori si ngjarje aksidentale, pasi nga veprimet e para hetimore dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve.

Më datë 27.12.2025 është paraqitur shtetasja Gj. I., 37 vjeçe, banuese në Xhafzotaj, e cila kallëzoi se është larguar nga banesa vajza e saj 16-vjeçare. Punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit F. H., 45 vjeç, dhe V. H., 46 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit S. H., 48 vjeç, F. H., 24 vjeç, dhe E. H., të gjithë banues në fshatin Petovë, pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte dhe sende të forta 3 shtetas në një lokal.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 25 vjeç, banues në Lushnjë, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetase 48 vjeçe.

Lushnjë/ Dje, ka kallëzuar shtetasja R. D., se është larguar nga banesa vajza e saj A. D., 28 vjeçe. Po punohet për gjetjen e saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. P., 48 vjeç, banues në Belsh, pasi dje, në aksin rrugor “Çepe–Belsh”, kamioni që ai drejtonte ka përplasur motomjetin me drejtues shtetasin E. K., 37 vjeç, banues në fshatin Seferan. Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi E. K. ka humbur jetën në spital.

Po këta specialistë arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 28 vjeç, pasi në aksin rrugor “Elbasan–Gjinar”, automjeti që ai drejtonte, në gjendje të dehur, ka përplasur dy automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasit V. M., 47 vjeç, për veprën penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin R. K., 19 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një 16-vjeçareje. Po punohet për kapjen e shtetasit R. K.

Gramsh – Dje, në fshatin Bregas, është gjetur në banesën e tij, pa shenja jete, shtetasi B. D., 66 vjeç, i cili dyshohet se ka humbur jetën për shkaqe natyrale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin A. Ç., 42 vjeç, pasi u konstatua jashtë banese, në shkelje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
•arrestuan shtetasin A. Z., 54 vjeç, pasi në një lokal ka vjedhur portofolin e shtetasit R. H.;
•ndaluan me iniciativë shtetasen A. B., 43 vjeçe, pasi dyshohet se, më datë 26.12.2025, ka djegur një orendi shtëpiake në banesën me qira të shtetasit M. T. Gjithashtu, dyshohet se ka kanosur me mesazhe shtetasin M. M.;
•referuan materialet në Prokurori për një 17-vjeçar, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj një familjari të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Xh. M., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkatërrim i pronës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin V. M., pasi, me vetëgjyqësi, ka bllokuar rrugën duke penguar shtetasin I. M. të shkojë në banesën e tij, pasi nga të dyja palët pretendohet se kjo rrugë është në pronësi të tyre.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. P., 30 vjeç, pasi dyshohet se drejtonte automjetin në gjendje të dehur, për këtë shkak iu mor një kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.
Më datë 27.12.2025:
•në rrugën “Reshit Çollaku”, si pasojë e një shkëndije elektrike në sheshpushimin e katit të parë të pallatit, ka rënë zjarr, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim;
•ka humbur jetën në spital, dyshohet si pasojë e problemeve shëndetësore, shtetasi L. F., 74 vjeç. Punohet për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës;
•një shtetas i mitur ka kallëzuar se një shtetas ende i paidentifikuar e ka goditur me një send të fortë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin H. N., 19 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasit:
•E. L., 40 vjeç, banues në Sarandë, pasi është konstatuar se në lokalin e tij, në lagjen nr. 1, kishte muzikë jashtë fashës orare të përcaktuar me ligj.
•L. S., 36 vjeç, banues në Delvinë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy shkopinj, të ngjashëm me ato të bejsbollit, me material hekuri dhe druri.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Sarandë/Vijojnë kontrollet në kuadër të planit të masave për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike.

Sekuestrohen 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla.

Procedohen penalisht dy pronarët e subjekteve tregtare.

Në vijim të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në subjekte tregtare.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë kontrollit të ushtruar në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.

Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin H. E., 66 vjeç, banues në fshatin Kaldrun, pasi, duke drejtuar motomjetin e tij nën efektin e alkoolit, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe është vetërrëzuar. Si pasojë ka mbetur i dëmtuar dhe pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër, është dërguar për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

-Më datë 27.12.2025, ka kallëzuar shtetasi N. Gj., 71 vjeç, rezident në Pistoia, Itali, se gjatë kohës qe nuk ka qenë në Shqiperi, i janë vjedhur një shumë parash, një armë gjahu çifte dhe disa vegla bujqësore nga banesa e tij, në fshatin Pentar. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Vau i Dejës

Kishte bllokuar rrugën duke penguar qarkullimin e automjeteve në fshatin Hajmel, si dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë gjatë detyrës për kontroll fizik, pasi kishte me vete një sasi lënde narkotike, arrestohet një 42-vjeçar.

Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjet municion luftarak.

Pasi kishte penguar qarkullimin e automjeteve të tjera në fshatin Hajmel, gjatë një aktiviteti festiv, punonjësit e Policisë së Forcave të Posaçme “Shqiponja” kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë përballur me kundërshtim verbal nga shtetasi A. P. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde narkotike, ndërsa gjatë kontrollit në banesë iu gjetën dhe u sekuestruan municione luftarake.

Në përfundim të veprimeve procedurale, Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë bëri arrestimin e shtetasit A. P., 42 vjeç, banues në Dejë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Malësi e Madhe / Vijojnë kontrollet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

I dyshuar si bashkëpunëtor për kultivimin e 780 bimëve narkotike, në Bajzë, kapet dhe vihet në pranga 57-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë kapur dhe ndaluar shtetasin:

A. M., 57 vjeç, banues në Bajzë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ai dyshohet si bashkëpunëtor për kultivimin e 780 bimëve narkotike kanabis, në Bajzë, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, më datë 18.09.2025.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim M. H., 33 vjeç, banues në Berat. Gjykata e Beratit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja”. Ky shtetas, më datë 15.12.2025, në lagjen “Kala”, ka vjedhur vegla pune.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. M., 22 vjeç, banues në fshatin Poshnje, Berat, pasi dyshohet se në ambientet e një lokali dhe për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta (shishe) një shtetas 42 vjeç.

Po ashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 47 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se në fshatin Poshnje, anës rrugës Berat–Lushnje, ka hedhur disa grumbuj inertesh.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. B., 39 vjeçe, banuese në Kuçovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vjehrrit të saj.

Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. K., 43 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka goditur me grushta një shtetas 55 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.