DVP Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Victim”

DVP Vlorë

Finalizohet operacioni i koduar “Victim”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të femrave, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Zbulohet në lagjen “Pavarësia”, një apartament i marrë me qira, ku shfrytëzohej për prostitucion, një shtetase kineze.

Identifikohen 3 shtetas kinezë, bashkëpunëtorë për këtë veprimtari kriminale. Vihen në pranga 2 prej tyre, tjetri shpallet në kërkim.

Procedohen penalisht shtetasja kineze që ushtronte prostitucion dhe një shtetas tjetër.

Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u finalizua operacioni i koduar “Victim”, që goditi një rast të shfrytëzimit për prostitucion.

Nga hetimet u identifikuan 3 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
2 prej tyre, shtetasja X. L., 40 vjeçe, banuese në Kinë dhe shtetasi B. W., 31 vjeç, banues në Kinë, u vunë në pranga, ndërsa bashkëpunëtorja, shtetasja K. X., 50 vjeçe, u shpall në kërkim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se shfrytëzonin për prostitucion shtetasen kineze J. G., 52 vjeçe, në një apartament në lagjen “Pavarësia”, të cilin e kishin marrë më qira, për këtë qëllim.

Shtetasja kineze J. G. dhe shtetasi E. B., i cili u konstatua në apartament, u proceduan penalisht për veprën penale “Prostitucioni”.

Punohet për kapjen e shtetases kineze të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e kësaj të veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.