Tiranë/Kontrolle dhe verifikime intensive, me objektiv goditjen e krimeve kundër mjedisit.
✅Shkarkonin ujëra të toksikuar me solucione për pastrim mjetesh, në rrugë, dhe si pasojë ndotej mjedisi dhe shqetësoheshin qytetarët, procedohen penalisht 15 administratorë lavazhesh në territorin e Komisariatit Nr. 2.
Bllokohen deri në marrjen e lejes mjedisore, 15 aktivitetet.
Sekuestrohen mjetet që përdoreshin në këto subjekte.
Gjithashtu, merren me qëllim ekzaminimin kimik, mostra të solucioneve të përdorura për pastrimin e automjeteve.
✅Vijoi punimet pa leje, për ndërtimin e objektit që administronte për qëllime biznesi, veprimtari për të cilën ishte proceduar penalisht më parë, arrestohet 24-vjeçari.
Gjatë verifikimeve të kryera me objektiv parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve kundër mjedisit, që gjithashtu rrezikojnë shëndetin e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 konstatuan se 15 lavazhe në territorin në juridiksion të këtij komisariati keqmenaxhonin shkarkimin e ujërave të toksikuar nga solucionet e pastrimit, duke i derdhur ato në rrugë dhe në hapësira publike.
Për këtë paligjshmëri, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 15 administratorët e këtyre subjekteve, konkretisht shtetasit: G. C., S. P., P. K., A. T., N. S., A. M., A. D., S. F., Sh. R., A. D., M. H., B. Sh. K. Xh., O. H dhe A. Xh., për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë iu kanë dërguar shkresa institucioneve kompetente, për marrjen e masave administrative të nevojshme.
-Më tej, gjatë patrullimeve me këtë fokus, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 kanë konstatuar se vazhdonin punime për ndërtimin e një objekti (për biznes) në zonën “Don Bosko”, punime të cilat ishin ndërprerë më parë, për shkak se ishte evidentuar se kryheshin pa leje. Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, admnistratori i aktivitetit, shtetasi B. Ll., 24 vjeç, i cili ishte proceduar më parë, për të njëjtën vepër dhe për të njëjtin rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Policia apelon për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitet me ndikim në mjedis, që të pajisen me autorizimet e kërkuara nga ligji, si dhe të respektojnë rregullat për mbrojtjen e mjedisit, pasi çdo shkelje do të ndëshkohet konform parashikimeve të Kodit Penal.
Kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër mjedisit, vijojnë në mënyrë të pandërprerë.
https://youtu.be/lgjrXInXOZA
