Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor “Poliklinika”, për goditjen e një grupi kriminal në fushën e vjedhjes së kasafortave në biznese. Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Zbardhet brenda pak orëve vjedhja e kasafortës me një shumë parash, në një poliklinikë. Zbardhet dhe vjedhja e ndodhur një muaj më parë në një klinikë mjekësore. Vihen në pranga 3 persona të dyshuar për një sërë vjedhjesh të tjera të kasafortave në biznese, në disa qarqe. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve, nga ana e strukturave për hetimin e krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke u përdorur metodat speciale të hetimit u bë e mundur zbardhja e ngjarjes së ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 24 shkurt, ku u vodh një kasafortë me një shumë parash, në një poliklinikë. Mbi bazën e provave të siguruara, u organizua, zhvillua dhe finalizua operacioni policor “Poliklinika”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, kryer në bashkëpunim, i shtetasve: E. M., 33 vjeç, F. Sh. alias F. L., 37 vjeç dhe E. Ç. alias E. H., 38 vjeç, banues në Tiranë (F. L. dhe E. Ç., me precedent penal në fushën e vjedhjes dhe vjedhjes me armë). Arrestimi i tyre u bë pasi, po sot rreth orës 04:05 të mëngjesit, në vendin e quajtur Rruga e Kavajës, në ambientet e Poliklinikës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Tiranë, në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, kanë vjedhur një kasafortë në të cilin ndodhej vlera monetare rreth 13 milion lekë të vjetra. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet: një automjet Mercedes Benz, me të cilin qarkullonin për të kryer vjedhjet, 1 DVR, një shumë parash, 1 kasafortë dhe 4 telefona celular. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen si autorë të vjedhjes së një klinike mjekësore në Rrugën e Dibrës, ngjarje e datës 20.01.2020, ku gjatë orëve të para të mëngjesit kanë vjedhur një shumë prej 413 000 lekësh dhe kanë tentuar të vjedhin edhe kasafortën e kësaj klinike. Gjithashtu, këta shtetas dyshohen se kanë kryer një sërë vjedhjesh të kasafortave në biznese, në qytetin e Tiranës dhe në qarqe të tjera. Vijon puna, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë në qarqe, për dokumentimin me prova ligjore të rasteve të dyshuara se janë kryer nga ky grup kriminal. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Dibër – Vijon operacioni policor “Maqellara”. Shkon në 5 numri i të arrestuarve për vjedhjen me dhunë të ndodhur me datë 22 shkurt, në një banesë. Falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera, si dhe në vijim të operacionit të koduar “Maqellara”, u bë e mundur kapja e personit të pestë, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në vjedhjen me dhunë. Gjatë paraditës së sotme, shërbimet e policisë kapën dhe arrestuan shtetasin: K. B., 35 ,vjeç, banues në Maqellarë. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë Dibër, për hetime të mëtejshme.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 14 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 8 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 2 në Berat dhe 2 Gjirokastër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 17 raste, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është arrestuar ne flagrancë dhe 12 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 5 raste, 2 në Vlorë, 2 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 9 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Tiranë, 4 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 11 raste aksidentesh, me 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 3 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.