Rinas – Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Operacioni i koduar “Shpërblimi” u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Vihen në pranga tre shtetas nga Gana dhe Kameruni, si dhe shpallen në kërkim dy të tjerë nga Franca.

Sekuestrohen pasaporta e karta identiteti që do përdoreshin me anë të ngjashmërisë, për të kaluar kufirin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të realizuara nga Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në Rinas u godit një tjetër rast i tentativës për kalim të kufirit me dokumente me ngjashmëri.

Si rezultat i informacionit të marrë në rrugë operative dhe shkëmbimit në kohë të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe falë koordinimit të veprimeve në terren që zgjatën gati 48 orë, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “Shpërblimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

• J. B., 21 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun (organizator);

• B. A., 34 vjeç, lindur dhe banues në Gana;

• J. B., 23 vjeç, lindur dhe banues në Kamerun;

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit francezë:

• D. I. dhe B. Y.

Nga hetimet e kryera nga ana jonë ka rezultuar se shtetasi B. A., kundrejt shpërblimit monetar, ka siguruar nga shtetasi J. B., një pasaportë franceze që i përkiste shtetasit D. I. dhe duke përfituar nga ngjashëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së.

Po nga hetimet ka rezultuar se 23-vjeçari J. B., kundrejt shpërblimit monetar ka siguruar nga 21-vjeçari J. B., një kartë identiteti franceze që i përket shtetasit B. Y. dhe duke përfituar nga ngjashëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë me këtë pasaportë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së.

Nga hetimet e kryera nga ana jonë dyshohet se ka bashkëpunëtorë edhe shtetas shqiptar, për të cilët po punohet për identifikimin e tyre.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.