Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Tjetër goditje në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Selita”. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shigjetat”. Sekuestrohen 402.7 gr. lëndë narkotike kokainë, peshore elektronike dhe një sasi parash, e përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Vihen në pranga 2 shtetasit që posedonin dhe shpërndanin lëndën narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme “Shigjetat” në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Selita”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. T., 33 vjeç dhe V. T., 28 vjeç, të dy banues në Selitë, Tiranë. Për këta shtetas, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, ka pasur informacione të marra në rrugë operative se në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonën e ish-Bllokut, Komunës së Parisit dhe Tiranës së Re. Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e punonjësve të policisë të Sektorit të Forcës së Posaçme “Shigjetat” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Prokop Mima”, është ndaluar për kontroll automjeti tip “Smart”, me drejtues L. T. dhe pasagjer V. T. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e shtetasit L. T, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 402.7 gramë lëndë narkotike, e dyshuar kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një peshore elektronike, 5 aparate celular dhe një sasi parash të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.
Tiranë – Kundërshtoi me dhunë dhe goditi me mjet punonjësin e Policisë Rrugore për shkak të detyrës, arrestohet në flagrancë 33-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Rrugore bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. LL., 33 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, gjatë patrullimit në Unazën e Re, patrulla e Policisë së qarkullimit rrugor i ka bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit sepse qarkullonte pa rrip sigurimi dhe gjatë komunikimit të masës administrative të dhënë nga ana e tyre për shkeljen e kryer, shtetasi A. LL. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë dhe më pas në tentativë për t’u larguar, ka goditur me mjet punonjësin e Policisë, duke i shkaktuar dëmtime në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti që drejtonte shtetasi A. LL. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik dhe “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 32 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Shkodër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Elbasan; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, Vlorë dhe 2 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 2 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 rast, për të cilin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 3 raste, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Korçë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Korçë dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.