Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vorë, Tiranë – Policia parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Kërcënoi me armë për ta vrarë bashkëshorten, por falë ndërhyrjes në kohë të Policisë u vu në pranga 66-vjeçari. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me fishekë. Shërbimet e Policisë Vorë, pas njoftimit të marrë se në fshatin Domje, Bashkia Vorë, në ambientet e banesës, shtetasi S. B. po dhunonte psikologjikisht bashkëshorten e tij duke e kërcënuar me armë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin S. B., 66 vjeç, banues në fshatin Domje, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit kallashnikov, me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij, 63-vjeçaren L. B. Materialet i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 107 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 77 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 2 në Vlorë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 3 në Tiranë, me 14 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 11 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Dibër dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë dhe 1 në Shkodër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.