Tiranë – Vijojnë kontrollet intensive nga Policia Rrugore, 3 drejtues mjetesh në pranga

Tiranë

Vijojnë monitorimet dhe kontrollet intensive për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, në zbatim të masave shtesë të ndërmarra me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, kanë vijuar kontrollet e pandërprera në akse të ndryshme rrugore, për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve, që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo zënë hapësirat e dedikuara për lëvizjen e lirë të automjeteve.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh, konkretisht:

-në rrugën “Pjetër Budi”, është ndaluar automjeti me drejtues shtetasin Z. A., i cili rezultoi në gjendje të dehur;

-në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është ndaluar automjeti me drejtuese shtetasen A. M., e cila pas verifikimeve përkatëse rezultoi se nuk ishte e pajisur me leje drejtimi;

-në Vorë, është ndaluar automjeti me drejtues shtetasin B. H., i cili rezultoi në gjendje të dehur.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve:

-në rrugët “Tish Daija” dhe “Tom Plezha”, janë zhvendosur me karrotrec, 2 automjete që pengonin lëvizjen e lirë të automjeteve të tjera, duke e çuar 15 numrin e automjeteve të zhvendosura gjatë një jave. Njëri prej këtyre automjeteve kishte të pashlyer 53 masa administrative.

-është ndëshkuar me masën administrative maksimale 40 000 lekë, drejtuesi i një motomjeti, i cili kryente manovra, duke rrezikuar veten dhe qytetarët.

Policia e Tiranës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të mos pengojnë lëvizjen e mjeteve të tjera,si dhe apelon për të gjithë qytetarët, që për çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, sipas Kodit Rrugor.