Fier/Vijojnë kontrollet dhe sigurimi i informacioneve, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Palermo”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri.
I akuzuar nga autoritetet italiane, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 30-vjeçari.
Në vijim të kontrolleve të kryera bazuar në inteligjencën policore, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Palermo”, gjatë të cilit u kap shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Dh. Xh. (H)., 30 vjeç, banues në Levan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Palermos, Itali, me vendimin e datës 12.08.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
30-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në datë 04.06.2023, kanë vrarë me armë zjarri në Sicili, shtetasin S. R. dhe kanë plagosur një shtetas tjetër.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi në Itali.