Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
U kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, sapo kishin vjedhur me thyerje në një berberhane, procedohen në gjendje të lirë për shkak të moshës, 2 të mitur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 të mitur, 17 vjeç dhe 15 vjeç. Dy të miturit u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, afër një berberhaneje, në të cilën dyshohet se pasi kanë thyer xhamat, kanë vjedhur një shumë parash, mjete të ndryshme pune, 2 celularë, 1 biçikletë dhe sende të tjera, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit fizik, 17-vjeçarit iu gjet një dorezë metalike, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
–
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Sh., 61 vjeç, banues në Laç, pasi ditën e djeshme, në rrugën dytësore “Kurbin-Laç”, duke drejtuar motomjetin, ka aksidentuar shtetasen V. J., 62 vjeçe, këmbësore, e cila është jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, për veprime të mëtejshme.