Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Parts 35”.
Arrestohet një 29-vjeçar që shpërndante doza kokaine, në qytetin e Vlorës.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde.
Pas një hetimi të kryer bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë kanë finalizuar operacionin e koduar “Parts 35”. Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi V. F., 29 vjeç, banues në Fushë Dukat.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe dhjetëra doza të kësaj lënde, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Lokalizohet dhe kapet në Itali, një shtetas i akuzuar nga SPAK, për pastrim parash.
Si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një të kërkuari për llogari të SPAK, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, në kohë reale, me partnerët në Itali, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, Policia Italiane arrestoi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin K. M., 35 vjeç.
Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse më datë 29.07.2024, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të kryer ekstradimin e shtetasit K. M., në Shqipëri.
Gramsh/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim nga GjKKO-ja, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim.
Në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për veprimtari kriminale të ndryshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, të mbështetura nga inteligjenca policore, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim dhe ekzekutuan urdhrin e Prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për ndalimin e shtetasit A. Rr., 41 vjeç, banues në Gramsh.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka dënuar 41-vjeçarin me 6 muaj burgim, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrjes në tendera apo ankande publike” e kryer në bashkëpunim.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar, për veprime të mëtejshme.
Vlorë/Vijon puna bazuar në inteligjencën policore dhe kontrolleve intensive të shërbimeve, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Strike 23”, për goditjen e një rasti të armëmbajtjes pa leje.
U kap në flagrancë me armë zjarri automatik, vihet në pranga 44-vjeçari, në Vlorë.
Sekuestrohet arma e zjarrit automatik.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Strike 23”.
Si rezultat i operacionit, u vu në pranga shtetasi H. H., 44 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Vlorë, pasi u kap në flagrancë me armë zjarri me vete në makinë, në lagjen “Bashkimi”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë/Arrestohen 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar ekzekutuan vendimin penal për shtetasin A. K., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit A. Q., 40 vjeç, dhe I. C., 37 vjeç, të dy banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ushtuar dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin S. B., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin K. O., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasit J. C., 23 vjeç, dhe J. H., 22 vjeç, pasi kanë shkelur masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik i gjetën shtetasit J. C., sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin E. K., 49 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kundërshtuar me forcë një punonjës Policie gjatë ushtrimit të detyrës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin L. L., 42 vjeç, banues në Kamëz, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Kurbin/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mbikalimi”.
Transportonin mbi 8 kg Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, arrestohen në flagrancë, në aksin rrugor “Laç-Mamurras”, 2 vëllezër.
Sekuestrohen lënda narkotike, shuma parash në lekë dhe në euro, si dhe 2 celularë.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se 2 shtetas transportonin lëndë narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe me Seksionin e Mbështetjes Operacionale të Hetimit, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Mbikalimi”.
Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit S. V., 36 vjeç dhe G. V. 26 vjeç, vëllezër, të dy banues në Kurbin. Ata janë kapur në aksin rrugor “Laç-Mamurras”, teksa transportonin rreth 8.2 kg Cannabis Sativa, me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 195 shtetas, konkretisht: 59 shtetas janë vënë në pranga, 117 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 19 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste. 14 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 23 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 24 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 11 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 12 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë/tentativat për vjedhje të pasurisë, janë evidentuar 17 raste, 10 prej tyre me autorë të paidentifikuar. 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me zjarr ose me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, 5 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera në këtë fushë, 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 26 raste- 8 shtetas janë vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 37 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Janë evidentuar:
-9 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar për një rast të mëparshëm në këtë fushë, është ndaluar;
-4 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrave të punonjësve të Policisë, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-4 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 4 shtetas të vënë në pranga. 1 shtetas i kërkuar për një rast të mëparshëm në këtë fushë, është ndaluar;
-3 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Dunimi i banesës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i moskallëzimit të krimit dhe tentativës për të kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, me 1 shtetase të rritur, më nga 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Pornografia”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, me 8 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
Për raste të mëparshme:
-të veprave penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, janë ndaluar 2 shtetas;
-të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, është ndaluar 1 shtetas;
-të veprës penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, është shpallur në kërkim 1 shtetas;
-të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, është ndaluar 1 shtetas;
-të veprave penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, është ndaluar 1 shtetase;
-të veprës penale “Mosdhënia e mjeteve për jetesë”, është ndaluar 1 shtetas;
-të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, është ndaluar 1 shtetas.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 14 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 17 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 31 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 14 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.