DVP Lezhë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni i koduar “Befasia”.
Zbulohet në Lezhë, një garazh i përshtatur për prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në garazh, u gjetën dhjetëra doza të lëndës narkotike kanabis, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak dhe 2 radio marrëse-dhënëse.
Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas (njëri prej tyre, pronari i garazhit).
Si rezultat i hetimeve të kryera nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Lezhë, për një rast të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, u finalizua në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Befasia”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-E. M., 24 vjeç, banues në Lezhë;
-R. P., 24 vjeç, banues në fshatin Manati;
-R. M., 24 vjeç, banues në Lezhë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi E. M. e kishte përshtatur garazhin e tij, për veprimtarinë kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit në ambientet e garazhit u gjetën 70 doza të lëndës së dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që dyshohet se e posedonte shtetasi E. M., dhe 2 radio marrëse-dhënëse, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 3 celularë dhe 1 automjet.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre veprimtarive kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.