Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Elbasan
Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Bashkëpunëtor për vjedhjen e 2 automjeteve, kapet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.
Komisariati i Policisë Elbasan, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kapi dhe ndaloi shtetasin L. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, i shpallur në kërkim 3 ditë më parë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Retro”.
Shtetasi L. P., në bashkëpunim me shtetasin F. B. (i arrestuar 3 ditë më parë) dyshohet se më datë 06.10.2024, kanë vjedhur në lagjen “Shënkoll”, një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. D., 65 vjeç.
Gjithashtu, këta 2 shtetas dyshohen si autorë të vjedhjes së një automjeti tip “BMË”, më datë 24.09.2024, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
PKK Port Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Checked”.
Fshehu në shtresën e shasisë së furgonit që drejtonte, 31 120 paunde (burimi i parave, i dyshimtë), për t’i futur në Shqipëri, pa i deklaruar, arrestohet 32-vjeçari.
Në këtë automjet u gjetën dhe veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake, të dyshuara të kontrabanduara.
Sekuestrohen automjeti, paratë dhe mallrat.
Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në hyrje/dalje të Shqipërisë, me qëllim garantimin e qarkullimit të ligjshëm dhe të sigurtë të shtetasve dhe mallrave, Seksioni i Hetimit dhe ZMPKT Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, finalizuan operacionin policor të koduar “Checked”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. K., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, është kaluar në vijë të dytë, për kontroll më të detajuar, furgoni që drejtonte 32-vjeçari. Nga kontrollet, në këtë automjet janë gjetur të fshehura në shtresën e shasisë, nën sediljen e drejtuesit, 31 120 paunde. Gjithashtu, në furgon janë gjetur veshje, vegla pune dhe pajisje elektroshtëpiake. Paratë, të cilat kanë burim të dyshimtë, shtetasi A. K. synonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, ndërsa mallrat dyshohet se janë të kontrabanduara, sepse nuk ishin të shoqëruara me fatura blerjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Durrësit, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
DVP Fier/Finalizohet pas 2 muajsh hetime, operacioni i koduar “Station”, për goditjen e një rasti të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 39-vjeçari që shiste doza kokaine në Lushnjë.
Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine dhe 1 peshore elektronike, që u gjetën në banesën e tij.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, si rezultat i një pune hetimore të kryer me metoda proaktive, në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Tempulli”, për një rast të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, finalizoi operacionin policor të koduar “Station”.
Gjatë operacionit, u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. P., 39 vjeç, banues në Lushnjë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas siguronte lëndë narkotike kokainë, e ndante në doza, në banesë, dhe më pas i shiste ato në lagje të ndryshme të Lushnjës.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi kokaine të ndarë në dhjetëra doza dhe 1 peshore elektronike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 celular.
Po punohet për të identifikuar dhe kapur shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Distributed”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.1 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe mjete që sherbëjnë për paketimin e saj, si dhe u arrestua në flagrancë 31-vjeçari që i posedonte.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve gjatë kontrolleve intensive në terren, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, pas informacioneve të siguruara nga intaligjenca policore se një shtetas shiste lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Distributed”.
Gjatë këtij operacioni u arrestua shtetasi H. Ç., 31 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë kontrollit në banesën e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2.1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, qese farmaceutike për paketimin e saj, një palë gërshërë, bllok me shënime mbi aktivitetin kriminal të shitjes së lëndës narkotike dhe një aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Taxi”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda.
Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja e një shume parash në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, më datë 04.10.2024.
Punohet për kapjen e 4 shtetasve gjeorgjianë, autorë të dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taxi”.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 29 shtetas janë vënë në pranga, 43 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre, në fushën e kultivimit, me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe municionit luftarak, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Gjithashtu, janë evidentuar 3 raste të krimeve kibernetike, për të cilat vijojnë hetimet, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, përgjegjësit.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Për raste të mëparshme në këtë fushë, janë ndaluar 2 shtetas
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 4 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-2 raste të shpërdorimit të detyrave, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Kanosja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i personave të rritur”, “Moskallëzimi i krimit”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përndjekja”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, është ndaluar.
1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, është ndaluar.
Për një rast të mëparshëm të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, janë ndaluar 2 shtetas, si dhe është identifikuar dhe shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
Kanë ndodhur 9 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 17 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 8 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.