Elbasan – Shpërndanin në doza të vogla droga të forta, vihen në pranga nga Policia dy vëllezërit

Sekuestrohen lëndë narkotike, 2 peshore elektronike, 4 aparat celular dhe 1 automjet.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me punonjësit e Policisë të Operacionales në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 28 vjeç dhe A. K., 27 vjeç, (vëllezër), banues në Elbasan.

Arrestimi i tyre u bë pasi, te sheshi “Gensher”, Elbasan, gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë iu gjetën dhe sekuestruan 9 doza me lëndë narkotike, e dyshuar të llojit heroinë, si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjet një sasi e vogël lëndë narkotike kanabis.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 peshore elektronike, të cilat shërbenin për peshimin dhe ndarjen në doza të lëndës narkotike, doza me lëndë narkotike heroinë dhe kanabis, 4 aparate celular dhe një automjet.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

——–

Belsh

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit:

A. D., 26 vjeç, banues në fshatin Deshiran, Belsh, me detyrë topograf, për veprat penale “Shpërdorim detyre”, dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

A. D., 60 vjeç, banues në fshatin Kajan, Belsh, për veprën penale “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”.

Procedimi ndaj tyre filloi pasi dyshohet se shtetasi A. D., me detyrë topograf pranë Bashkisë Belsh, ka falsifikuar dokumentet e një prone të shtetasit A. D.

Materiale hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.