DVP Vlorë
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditen 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike në doza, në Sarandë dhe në Vlorë.
Sarandë/Finalizohet operacioni policor “Parts 26”, vihet në pranga një 33-vjeçar, i cili posedonte në banesë, lëndë narkotike kokainë, me qëllim shitjen në doza, në lokalet e natës në Sarandë. Sekuestrohen 80 doza kokaine, 2 peshore elektronike dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Vlorë/Finalizohet operacioni “Parts 27”, vihet në pranga një 43-vjeçar, i cili shiste doza kokaine dhe kanabisi në ambientet e lokalit të tij. Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, një thikë dhe shuma parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi siguruan informacion për dy raste të shitjes së lëndëve narkotike në qarkun Vlorë, organizuan dhe finalizuan 2 operacione policore për goditjen e tyre.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Parts 26”, të zhvilluar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. Z., 33 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në banesën e tij, në lagjen nr. 3, shërbimet e Policisë gjetën 80 doza lënde të dyshuar narkotike kokainë, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen në lokalet e natës. Së bashku me lëndën narkotike, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 peshore elektronike dhe shumë parash ( lekë dhe euro), të dyshuara se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale;
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Parts 27”, të zhvilluar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi E. V., 43 vjeç, banues në Vlorë. Gjatë kontrollit në lokalin që ky shtetas administron, në lagjen “Isa Boletini”, shërbimet e Policisë gjetën 18 doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe disa doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, të cilat dyshohet se i posedonte me qëllim shitjen. Së bashku me lëndën narkotike, në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan një mjet prerës thikë dhe shuma parash (lekë dhe euro), të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive, për veprime të mëtejshme.