Projekti IPA 2017 dhuron pajisje për Institutin e Policisë Shkencore

Në kuadër të Projektit IPA 2017 “Lufta kundër krimeve të rënda në Ballkanin Perëndimor”, Projekti IPA 2017 i ka dhuruar Institutit të Policisë Shkencore një set me mjete të nevojshme për marrjen dhe administrimin e provave në vendngjarje dhe pajisje të tjera të domosdoshme.

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua ceremonia e dorëzimit të këtyre pajisjeve, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Zv/ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtuesit të Projektit IPA 2017 z. Gennaro Capoluogno dhe përfaqësuesit të delegacionit të BE-së Francesco Torcoli.

 

Veliu dhe Capoluogno gjatë kësaj ceremonie e kanë vlerësuar si shumë të frytshëm bashkëpunimin mes dy policive dhe kanë theksuar se vetëm 10 ditët e fundit janë zhvilluar tre operacione të përbashkëta shumë të rëndësishme dhe faktet e tregojnë më së miri këtë bashkëpunim.

Veliu ka falënderuar drejtuesin e Projektit IPA 2017 dhe përfaqësuesin e Delegacionit të BE-së për këtë ndihmë të çmuar, e cila do shërbejë në përmirësimin e mëtejshëm të punës së Institutit të Policisë Shkencore.

Capoluongo dhe Torcoli vlerësuan punën e Policisë dhe adresimin e duhur të çdo problematike apo dhe ndihme të dhënë, çka ka bërë që marrëdhëniet mes dy policive të forcohen çdo ditë e më shumë.

Në fund të ceremonisë Veliu dhe Capoluogno nënshkruan dokumentin e dhurimit të këtyre pajisjeve, të cilat iu dorëzuan Institutit të Policisë Shkencore.