Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Tiranë/Arrestohen 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin G. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, (roje në një parking në zonën e Ish-Bllokut), për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 e 22 të Kodit Penal.

Ky shtetas dyshohet se ditën e sotme, rreth orës 06:30, në rrugën “Pjetër Bogdani”, pas një debati, ka goditur me bërryl në fytyrë shtetasin E. M., 30 vjeç, i cili ka rënë në tokë pa ndjenja dhe është dërguar në spital, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasin D. K., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 76 dhe 279 të Kodit Penal, dhe shtetasin A. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.

Shtetasi D. K., ditën e djeshme, në Unazë të Re, ka goditur me mjet prerës shtetasin A. H., 34 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital, ndërsa shtetasi A. M., drejtuesi i motomjetit ku ndodhej 34-vjeçari që ka ndërruar jetë, ka rezultuar se drejtonte motomjetin në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin O. M., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur një aparat celular në një lokal në Rrugën e Barrikadave.

Materialet i kaluan Prokurorisë