Operacione policore të njëpasnjëshme, kundër armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Vihet në pranga 55-vjeçari që posedonte pa leje, në banesë, armën dhe municionin.
Në zbatim të planit të masave për të garantuar sundimin e ligjit në territor dhe në bazë të kallëzimit të një 53-vjeçari se kishte konflikt me fqinjin e tij, 55 vjeç, për dëmtimin e një peme frutore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh kanë organizuar punën dhe kanë kryer kontroll në banesën e 55-vjeçarit, në fshatin Shënmrizë.
Gjatë kontrolleve në banesën e 55-vjeçarit, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Indicia”, u gjetën 1 armë zjarri kallashnikov dhe 690 fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilat posedoheshin pa leje, nga ky shtetas.
Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma dhe municioni, si dhe u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. R., 55 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prerja e druve dekorative dhe frutore”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.