Pezullohen nga detyra 19 punonjës të Policisë së Shtetit
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit vendosi masën “pezullim disiplinor nga detyra” për 19 punonjës, për të cilët Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “pezullimi i ushtrimit të një funksioni apo shërbimi publik”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Bazuar në Rregulloren e Policisë së Shtetit, për punonjësit e policisë është bërë pezullimi pa pagesë dhe ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209, pika 1, “shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të policisë”, si dhe neni 208, pika 3, “përdor pozitën e vet si punonjës policie për përfitime për vete ose për persona të tjerë”.
Drejtoria e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit vlerëson bashkëpunimin me AMP-në dhe Prokurorinë, në funksion të zbatimit të ligjit dhe rritjes së integritetit të organizatës së Policisë së Shtetit.
Drejtoria e Përgjithshëm e Policisë së Shtetit është plotësisht e angazhuar për zbatimin e rekomandimeve institucionale që synojnë përmirësimin e përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet me partnerët ndërkombëtarë dhe kontrollin më rigoroz mbi mënyrën e përdorimit të fondeve.